Avni Zogiani nervozohet me deklaratat e Escobarit për KiE: Ta shohim si do t’i shpaloset krijimtaria e tij
Zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani duket të jetë nervozuar me deklaratat e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, i cili tha se ka ende disa kushte rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Përmes një shkrimi në rrjetin social X, zyrtari i Vetëvendosjes ka komentuar “krijimtarinë” e diplomatit amerikan:
“I dërguari i SHBA-së në Ballkan, Gabriel Escobar sapo konceptoi disa kushte të reja për pranimin e Kosovës në KiE... le të presim dhe të shohim se si do të shpaloset krijimtaria e tij derisa të përfundojë ky proces!”

Ndryshe, emisari Escobar të premten njoftoi se ka dy kushte të tjera për anëtarësim në KiE, e që kanë të bëjnë me shpronësimet në veri dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është... [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni.” - tha dje Emisari Gabriel Escobar, në intervistën për REL.