Avionët e armatosur rusë fluturojnë mbi bazën amerikane në Siri
Avionët e armatosur rusë kanë fluturuar mbi një bazë ushtarake amerikane në Siri pothuajse çdo ditë në muajin mars. Kjo shkelje e hapësirës ajrore shkel një marrëveshje katërvjeçare midis ShBA-së dhe Rusisë dhe mund të jetë rrezik për përshkallëzim, sipas gjeneralit amerikan në krye të operacioneve ajrore në rajon.
Gjeneral Lejtnant Alexus Grynkewich, komandant i komponentit të forcave të kombinuara ajrore për Komandën Qendrore të ShBA-së, tha të mërkurën për “NBC News” se fluturimi më i fundit rus përmbi bazën ushtarake ne Siri, "At Tanf Garrison" ndodhi vetëm disa orë më parë. Ai tha se avionët rusë e kanë shkelur hapësirën ajrore 25 herë deri tani gjatë muajit mars, gjë që është një ndryshim tronditës krahasuar me muajin shkurt, kur shkelje të tilla nuk kishin ndodhur asnjëherë.
"Ata po fluturojnë rregullisht përmbi njësitë tona, rreth një milje në afërsi të forcave tona, derisa ne kemi forca këtu në terren, në ATG"- tha Grynkewich. "Pra është një situatë e palakmueshme"- shtoi ai.
Në mesin e këtyre avionëve rusë, që e shkelin hapësirën ajrore, janë avionët e tipit Su-34. Disa nga avionët transportojnë municione që mund ta qëllojnë armikun në ajër dhe të tjerët transportojnë municione që mund ta godasin armikun në tokë. Midis tyre ka, gjithashtu, raketa dhe bomba të drejtuara nga radarët, por edhe që drejtohen nga nxehtësia.
Ky lajm i kësaj shkeljeje të hapësirës ajrore vjen pas incidentit që ndodhi një javë më parë mbi Detin e Zi me dy avionë rusë, të cilët sulmuan nje dron MQ-9 amerikan duke fluturuar përmbi të dhe duke i hedhur karburant derisa e rrëzuan dronin. Ky akt agresiv i forcave ruse përfundoi me shkatërrimin e dronit amerikan, i cili ra drejt në Detin e Zi.
Grynkewich tha se ai nuk mendon se rusët kanë ndonjë nxitje për të përdorur armë kundër ushtrisë amerikane në Siri. "Por thjesht e rrit rrezikun e keqllogaritjes dhe, marrë parasysh incidentet e tilla si ai i MQ-9 në Detin e Zi, nuk është një lloj i sjelljes që unë do të prisja nga një forcë ajrore profesioniste"- shtoi ai.
Ushtria amerikane e ka përdorur linjën telefonike që i ndan me rusët për të protestuar ndaj veprimeve, por këto thirrje nuk e kanë ndryshuar sjelljen ruse. Grynkewich informoi se, gjatë thirrjeve, rusët i kanë thënë ShBA-së se nuk e njohin të gjithë hapësirën ajrore mbi bazën At Tanf (e njohur edhe si Al Tanf) si hapësirë ajrore amerikane ose thonë se thjesht po i përgjigjen aktivitetit të koalicionit në atë rajon.
Në vitin 2019, ShBA-ja dhe Rusia vendosën rregulla për hapësirën ajrore mbi Siri në mënyrë që t’i shmangnin takimet aksidentale dhe potencialisht provokuese. Të dyja palët kishin rënë dakord se fluturimi i drejtpërdrejtë i pozicioneve të njëra-tjetrës në tokë, veçanërisht me avionë të armatosur, nuk ishte i pranueshëm.
"Rusët gjatë disa muajve të fundit duket se e braktisën atë parim të protokolleve"- tha Grynkewich. Rusët ende këmbëngulin që ShBA-ja duhet të qëndrojë larg njësive tokësore ruse, shpjegoi ai, dhe ShBA-ja po i përmbahet kësaj. Por rusët madje kanë fluturuar drejtpërdrejt mbi trupat amerikane në terren në jug të Sirisë, të cilën Grynkewich e quajti provokative.
Deri tani, këto fluturime nuk kanë ndikuar në operacionet ushtarake të ShBA-së. ShBA-ja u përgjigjet avionëve duke i përcjellë nga larg. Grynkewich paralajmëron se nëse vjen situata ku duhet të përdorën mënyra më të ashpra kundër avionëve rusë, këso lloje të akteve do ta rrezikonin misionin amerikan në Siri.
"Ajo që është me të vërtetë, është një shpërqendrim nga lufta kundër ISIS-it"- tha ai. "Kjo nuk ka ndikuar ende në luftën në terren, por sigurisht që e ka potencialin për të ndikuar në të"- tha ai.
"Nuk jam i shqetësuar për konflikte, jam i shqetësuar për një keqllogaritje apo veprim joprofesional apo të papjekur nga dikush"- shtoi amerikani.
"Përgjatë karrierës sime nuk e kam parë këtë lloj mospërfilljeje ndaj protokolleve dhe rregullave për parandalimin e konflikteve" tha ai. "Kështu që kjo që po e shohim tani, është shumë unike."
Përktheu: Ardit Aliu

