Autostradat multimilionëshe anashkalojnë fshatrat në Kosovë
Amir Ismajli zgjohet çdo ditë në ora 6 të mëngjesit. Shpejt e shpejt bëhet gati, e së bashku me babain e tij niset në punë. Ndryshe nga shumica e të tjerëve, ata nga shtëpia dalin me autobus, që është edhe vendi i tyre i punës. Babai i Amirit është shofer autobusi, ndërsa Amiri ndihmës i tij dhe kondukter. Për vite me radhë, ata drejtojnë kompaninë e transportit të udhëtarëve ‘‘Medina’’, që realizon disa linja ndërurbane.
Në ora 7 kanë nisjen e parë, por disa minuta përpara e parkojnë autobusin në peronin nr.5 në Stacionin e Autobusëve të Ferizajt. Për pak nisen drejt Prishtinës me pothuajse autobus të mbushur. Ky mjet i madh i kompanisë ‘‘Medina’’ udhëton që më shumë se 30 vjet në këtë linjë, që prej se gjyshi i Amirit themeloi kompaninë, ku edhe për disa dekada ishte shofer i këtij autobusi.
Rrugës kah ka vozitur autobusin edhe gjyshi i tij, sot e 13 vjet udhëton edhe Amiri me babain e tij. Ata paralelisht magjistrales kah udhëtojnë kanë autostradën ‘‘Arbën Xhaferi’’.
“S’kena llogari me shku kah autostrada’’, thotë Amiri për Nacionalen.
Autostrada do të mund të shkurtonte udhëtimin drej Prishtinës, por do të linte pa transport publik shumë fshatra që gjenden mes Ferizajt, Lipjanit e Prishtinës.
“Shumë udhëtarë i marrim rrugës, fshatrat Babush, Banullë, Llugaxhi, Smallushë, Gumnasellë etj. do mbeteshin jashtë [linjës së udhëtimit]”, thotë Amiri kur pyetet se pse nuk realizojnë udhëtimin kah autostrada multimilionëshe.
Janë mbi 14 kompani të autobusëve që për çdo ditë, nga ora 6 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes, udhëtojnë nga Ferizaj në Prishtinë dhe anasjelltas. Brenda këtyre 14 orëve të ditës realizohen përafërsisht 60 udhëtime, dhe të gjitha këto realizohen kah rruga e vjetër (magjistralja Ferizaj-Prishtinë) dhe asnjëri nuk shfrytëzon autostradën ‘‘Arbën Xhaferi’’. Dy kyçjet e vetme të Ferizajt në ‘‘Arbën Xhaferi’’ janë në fshatin Babush (në drejtim të Prishtinës) dhe në fshatin Bibaj (në drejtim të Gjilanit).
Autostradat ‘‘Arbën Xhaferi’’ dhe ‘‘Ibrahim Rugova’’ janë ndër investimet kapitale më të larta të bëra nga qeveritë e Kosovës paslufte.
Çmimi i “Rugës së Kombit” nuk është mësuar asnjëherë, pasi qeveria e atëhershme dhe kompania që realizoi projektin ishin marrë vesh për të mos publikuar koston. Ama janë dhënë shifra se investimi qeveritar ka kushtuar rreth 1 miliard euro dhe çka padyshim e bën shpenzimin më të madh të pasluftës në vend. Autostradën ‘‘Arbën Xhaferi’’ që nis nga Prishtina e kalon nëpër Ferizaj e Gjilan dhe shkon tek kufiri maqedonas, kosovarët e kanë paguar mbi 600 milionë euro.
Për të dyja projektet, ka pasur akuza politike për keqpërdorime e korrupsion, akuza me të cilat është marrë edhe prokuroria e shtetit dhe u ka ngritur aktakuzë disa personave. Sidoqoftë, dy shpenzimet miliardëshe s’mund t’i shijojnë të gjithë kosovarët, ani pse ishin edhe ata që kontribuuan me taksa në ndërtimin e tyre.
Autostradat janë të tipit të mbyllur dhe është e ndaluar që automjetet motorike të ndalen. Po ashtu, tipi i mbyllur i autostradës parasheh edhe mungesa të ‘‘stacioneve’’ përgjatë autostradës.
‘‘Në autostrada nuk ka vend-ndalje dhe nuk mund të ndalojnë kompanitë për marrjen-zbritjen e udhëtareve’’, thuhet në përgjigjen që Nacionale mori nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe INfrastrukturës (MPHI).
Shkëlqim Beqiri është nga Ferizaj dhe kohë pas kohe udhëton me autobus drejt Prishtinës.
‘‘Fshati im është vetëm pesë minuta larg autostradës, por pavarësisht kësaj, ne banorët jemi të detyruar të shkojmë deri në Ferizaj për t’u kyçur në autostradë pasi nuk ka kyçje në afërsi’’, thotë ai për Nacionalen.
Ai tregon se banorët e fshatit Rahovicë, ndër fshatrat më të mëdhenj të Ferizajt, janë të detyruar, (edhe ata që kanë makinat e tyre) që të shkojnë ose në fshatin Bibaj ose në fshatin Babush për t’u kyçur në autostradën ‘‘Arbën Xhaferi’’.
‘‘Duket se autostradat janë ndërtuar asisoj që s’mund të ketë kyqje në to edhe për fshatrat që gjenden skaj tyre’’, thotë ai, duke shpresuar se një ditë do të mund të intervenohej.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është përgjegjëse për rregullimin e linjave ndërurbane, ndërsa linjat urbane rregullohen përmes lejeve që lëshojnë komunat përkatëse. MPHI i tha Nacionales se momentalisht asnjë linjë ndërurbane nuk qarkullon përmes autostradave ‘‘Arbën Xhaferi’’ apo ‘‘Ibrahim Rugova’’.
‘‘Ne kemi pasur raste kur kompanitë e kanë marrë rendin e udhëtimit [lejen për udhëtim] po nuk e kanë mbajtur [nëpër autostrada], pastaj kanë hequr dorë për arsye që nuk janë rentabile’’, thuhet në përgjigjjen e ministrisë përgjegjëse për rregullimin e transportit publik në vend.
Amir Ismajli thotë se nëse lëvizin me autobus kah autostrada, do të mund të shkaktoheshin edhe përplasje ndërmjet kompanive, pasi kjo do të çrregullonte konkurencën mes tyre.
Kah udha e vjetër dhe rreth e rrotull
Arjetë Bekteshi është edhe më gjatë në autobus, ani pse edhe ajo do të kishte mundësi që udhëtimin drejt Prishtinës gati ta përgjysmonte. Ajo është nga fshati Piranë dhe fillimisht i duhet të shkojë në stacionin e autobusëve në Prizren dhe pastaj të vazhdojë drejt kryeqytetit ku studion dhe punon.
"Që ta arrij një ligjëratë në ora 16:30 në Universitetin e Prishtinës, duhet të nisem 2 orë e gjymsë përpara nga Prizreni’’, i thotë ajo Nacionales.
Studentja shton se ato dy orë do t’i shfrytëzonte në diçka tjetër në rast se autobusi nga Prizreni në drejtim të Prishtinës ‘‘s’do t'i binte rreth e rrotull Prizrenit’’. Studentja e cila edhe punon, thotë se mbi dy orë udhëtim në ditë shpesh e molisin dhe se udhëtimi i ndikon ‘‘edhe në efikasitet në punë e po ashtu edhe në studime’’.
‘‘Udhëtimi bëhet edhe më i lodhshëm, kur më duhet t'i ndërroj dy ose më shumë autobusë, që të arrij në vendin e caktuar. Nëse udhëtimi do të realizohej nga autostrada, shumë nga komplikimet ditore do të thjeshtoheshin’’, thotë Arjeta.
Edhe kompanitë e autobusëve nga Prizreni për udhëtimet e tyre ditore nuk e përdorin autostradën ‘‘Ibrahim Rugova’’. Bile, këto kompani realizojnë udhëtime edhe më të gjata pasi nuk përfshijnë vetëm Prizrenin. Nëse një autobus niset nga stacioni i autobusëve në Prizren, ai fillimisht shkon në Suharekë, pastaj niset në drejtim të Shtimjes, kalon një pjesë të Lipjanit para se të arrijë në Prishtinë.
Dy herë në javë e ‘‘shijon’’ këtë udhëtim edhe Rilind Kuçi nga Suhareka.
Studenti i Shkencave Politike banon në Prishtinë me qira, por çdo fundjavë kthehet në shtëpinë e tij. Ai thotë se udhëtimi, pos që e ka rritur koston, pasi biletat janë shtrejtuar nga 2 euro në 3, është edhe i mundimshëm; ka ndalesa të shumta, e shpeshherë i bie edhe të qëndrojë në këmbë.
‘‘Zakonisht janë shumë udhëtarë dhe shpesh duhet me qëndru në këmbë, ani pse kjo është e kundërligjshme’’, thotë ai, mirëpo tërheq vërejtjen se në rrethana tjera shumëkush s’do të mund të udhëtonte fare.
Rilindi do të preferonte një linjë që do të udhëtonte kah autostrada ‘‘Ibrahim Rugova’’ sepse kjo do t'ia shkurtonte kohën e udhëtimit për 20 apo 30 minuta, shto këtu edhe që do ta kursente kohën që autobusi humb përderisa ndalet gati në çdo qosh për të marr udhëtarë që presin përgjatë rrugës.
Mirëpo, Rilindi është i vetëdijshëm se do të mbetnin jashtë shumë prej udhëtarëve të autbusëve që jetojnë nëpër fshatra, dhe për këtë gjë ai është kundër.
‘‘Zakonisht kur ka shumë udhëtarë, kompanitë marrin nga dy autobusë dhe njëri prej tyre udhëton direkt për Prishtinë’’, thotë ai për Nacionalen.
Sipas tij, kjo do të duhej të ishte zgjidhja e këtij problemi. Të kishte linja direkte të cilat do udhëtonin kah autstrada, mirëpo, sipas Rilindit, duhet gjithsesi të jenë edhe linjat e tanishme, pasi askush nuk do të duhej të mbetej pa udhëtim, pasi mundësimi i transportit publik duhet të jetë i garantuar për të gjithë.
Ministria i tha Nacionales se ‘‘Sa i përket kërkesave te reja për nisje të lira, kërkesa mund të parashtrohet nga operatori i transportit, një grup qytetarësh apo nxënësish, etj.. Një kërkesë e tillë duhet të parashtrohet pranë Ministrisë, respektivisht Departamentit të Transportit dhe Ministria ruan të drejtën e shpalljes ose mosshpalljes së nisjeve te lira’’.