"Autonomi për serbët; propozim serioz": Qysh po komentohet draft-statuti i Ramës për Asociacionin? - NACIONALE

"Autonomi për serbët; propozim serioz": Qysh po komentohet draft-statuti i Ramës për Asociacionin?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Edi Rama i ka trazuar ujërat politike. Më saktësisht, propozimi i tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është kthyer në një pikë të diskutueshme. Ndonëse është krejtësisht sekret, drafti-statuti i Ramës ka ngjallur komente të ndryshme, nga ato që e quajnë propozim serioz e deri te ato që paralajmërojnë se “ofron autonomi territoriale për serbët”. Qysh u prit draft-statuti i Asociacionit i hartuar nga Rama?

Në konferencën për media, pas takimit Rama-Vuçiq, ky i fundit ka thënë se nuk e ka parë propozimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të propozuar nga kryeministrit shqiptar.

Ndonëse takimi dukej në një atmosferë të mirë, media serbe "Danas" raporton se ka pasur tension mes kryeministrit Rama dhe presidentit Vuçiq, për shkak të draft-propozimit të Ramës.

Rama citohet të ketë thënë se e ka dërguar draft statutin e Asoicacionit te kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, pasi i konsideron ata si “kumbarët e marrëveshjes”.

Këtu, raportohet se ka ndërhyrë Vuçiq me një “ton më të ashpër”, duke pretenduar se “në Serbi, njerëzit i zgjedhin vetë kumbarët e tyre” dhe se “vetëm Serbia mund të propozojë një draft statut të Asociacionit”.

"Elemente të autonomisë serbe"

Por, ndryshe nga presidenti serb është deklaruar kryeparlamentari kosovar, Glauk Konjufca.

Konjufca, pas takimit me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se propozimi i Ramës për Asociacionin ka “elemente autonomie territoriale për serbët”.

“Ai pretendon që është në përputhje me Kushtetën e Kosovës mirëpo mua m’u ka dukur që elemente të caktuara të propozimit të zotit Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës, dhe kjo është në kundërshtim me interesat e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Kryeministri Rama nga Podgorica e Malit të Zi iu ka përgjigjur Konjufcës, duke ia hedhur poshtë pretendimet.

Sipas Ramës, Konjufca “simpatik” nuk e ka parë draftin, por e di se çfarë duhet të thotë para kamerave pasi është konsultuar me Albinin.

“Unë me Glaukun kemi pasur një bisedë fantastike miqësore e vëllazërore. Unë flisja dhe Glauku qeshte. Nuk kemi folur asnjë fjalë për draftin e Asociacionit. Por, pse i tha Glauku ato jashtë duhet të pyesni Albinin që nuk ishte në takim. Glauk s’di fare se çfarë është drafti, por di se çfarë duhet të thotë para kamerave pasi është konsultuar me Albinin”, është shprehur Rama.

"Propozim serioz dhe i menduar mirë"

Ambasadori i ShBA-së, Jeff Hovenier, një javë me pare, ishte intervistuar nga gazetari Adriatik Kelmendi. Në intervistën për emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Hovenier kishte folur për draft-statutin e Asociacionit që e propozoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas Hovenierit, draft-statuti i Ramës është serioz dhe i menduar mirë.

“Po, gjëja e parë që do ta thosha është se kam pasur mundësi ta lexoj, por jo në detaje, propozimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe që Rama e ka prezantuar, është serioz, është i menduar mirë, por ka shumë ide dhe shumë mënyra se si mund të bëhet. Është një propozim i bërë nga Friedrich Ebert Foundation, që ishte gjithashtu serioz dhe i realizuar me kujdes. Pra ajo që do të thosha është se nuk kemi mungesë të ideve të mira se si mund të bëhet kjo”, ka thënë ai, transmeton Klan Kosova.

Lajme të ngjashme