“Ndaleni marrëzinë; shtensionim”: Çka i kërkuan amerikanët Kosovës për veriun këtë javë? - NACIONALE

“Ndaleni marrëzinë; shtensionim”: Çka i kërkuan amerikanët Kosovës për veriun këtë javë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Aleanca veri-Atlantike, NATO në përgjithësi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti gezojnë një popullaritet të lartë të kosovarët, pas ndërhyrjes së vitit 1999-të për ta ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve, që i dha fund luftës së Kosovës në vitin 1999-të.

Kështu që, përsëri zyrtarë të NATO-s, ambasadorë e ish-president amerikanë i kanë kthyer “sytë” nga Kosova, kësaj herë për t’i kërkuar asaj ta deeskalojë situatën në veri të vendit.

Ndaleni marrëzinë”, “do të këtë pasoja tjera”, “nuk lejojmë një luftë të re në Evropë” janë disa nga porositë e amerikanëve për Qevrinë e Kosovës. Çfarë po kërkojnë ata?

Tri kërkesat e javës

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, i cili po qëndron sot në Kosovë, ka deklaruar se askush nuk duhet të tentojë të nis një konflikt të ri në Evropë.

Goffus u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë ta respektojnë Marrëveshjen Themelore të arritur në Bruksel dhe Ohër.

Kam ardhur këtu për të konfirmuar qëllimin e NATO-s për paqe e stabilitet. Nuk kemi parë progres nga Prishtina e Beogradi për deeskalim dhe kjo ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Kemi pasur numrin me të madh të ushtarëve të lënduar të KFOR-it që nga viti 1999. Kjo është e papranueshme! Është urgjente për Prishtinën dhe Beogradin të ndërmarrin hapa konkretë për shtensionim, të dialogojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet.” – tha ai në një deklarim për gazetarë, pas takimeve që ka pasur me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, raporton RTK.

Hovenier

Edhe ambasadori amerikan në Kosovë Jeff. Hovenier, ditë me parë, ka kërkuar shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Në një intervistë për “Rubikon” te Adriatik Kelmendit, Hovenier ka thënë se diplomatët janë të habitur me situatën që mbizotëron aktualisht, duke theksuar se nëse Qeveria Kurti vazhdon me të njëjtën qasje do të ketë pasoja për Kosovën.

Jemi të shqetësuar që Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pozitivisht këtyre kërkesave. Por, dua ta bëjë me dije se jo vetëm ShBA po kërkon këtë gjë. Vetëm këtë javë kanë ndodhur gjëra të jashtëzakonshme. Që nga e hënja, Kryeministri Kurti ka takuar Sekreatin e Jashtëm Britanik, ka folur me Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken, me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, ka pasur deklarata publike nga Sekretari Gjeneral i NATO-s. Pra, në thelb, konfigurimi i krejt institucioneve që i synon Kosova të anëtarësohet një ditë, e që ne përzemërsisht duam t’i ndihmojmë, dhe miqtë e Kosovës që e mbështesin në këtë trajektore, krejt po i kërkojnë Kosovës këtë.” – theksoi ai.

Bill Clinton

Shtensionimin në veri e ka kërkuar edhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, i cili të hënën ka qëndruar në Tiranë të Shqipërisë.

Teksa po fliste për ndasitë dhe muret mes njerëzve, ish-presidenti amerikan, që gëzon një popullaritet të lartë tek kosovarët, u ndal edhe në situatën e tensionuar dhe krizën në veri te Kosovës.

“Ndaleni marrëzinë” – ishte mesazhi i qartë i Clintonit për kryeministrin Kurti.

"Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më në dorën time, por të kosovarëve. Mendoj që autoritetet kanë bërë një gabim për të zhvilluar zgjedhje për katër komuna, kur votimi ishte bojkotuar (nga serbët),” – tha ish-Presidenti Clinton në fjalën e tij të mbajtur në Tiranë.

Tutje ai tha se "është e lehtë për shqiptarët, tashmë në shumicë, të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre. Por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është që duhet ta ndalim këtë marrëzi”.

Kërkesat e Kurtit

Ndërsa, sot në mengjes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën pas mbledhjes së qeverisë, ka folur për situatën në veriun e vendit.

Kryeministri Kurti ka thënë se s’ka zgjidhje për veriun sepse nuk ka zbatim të marrëveshjeve nga Serbia.

Sa i përket normalizimit po e vë theksin se kemi nevojë për zbatim të marrëveshjes, dhe mos të harrojmë se kemi marrëveshje. Shumëçka që trumbetohet në media vendore, Serbi e ato ndërkombëtare, ka krijuar përshtypje se nuk kemi zgjidhje se nuk ka marrëveshje. Në fakt nuk ka zbatim të marrëveshjes. Kosova nuk ka kurrfarë faji. Kosova është zotuar ta nënshkruajë marrëveshjen”, deklaroi kryeministri Kurti.

Lajme të ngjashme