Acarim mes Ramës dhe Vuçiqit midis Beogradi, debat mbi "kumbarinë" e Asociacionit - NACIONALE

Acarim mes Ramës dhe Vuçiqit midis Beogradi, debat mbi "kumbarinë" e Asociacionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në fillim të konferencës thanë se nuk do të flasin shumë për Kosovën, pasi nuk duan të ndikojnë në situatën në veri. Por në fund, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, raportohet të kenë debatuar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Çka ndodhi?

Ka përfunduar tashmë edhe konferenca për media, pas takimit Rama-Vuçiq. Ky i pari, që në fillim, deklaroi se nuk do ta komentojnë situatën në veri.

“Ne kemi një zakon që të ndajmë opinione hapur dhe ndonjëherë të mos pajtohemi, por ne duhet të punojmë në favor të paqes. Duhet të punojmë bashkë ne momente si kjo. Për shkak të situatës në Kosovë, ne nuk do të shprehim opinionet tona në mënyrë që mos të ndikojmë në situatë.– u shpreh fillimisht Rama.

Dhe një mendim të ngjashëm, e pati edhe Vuçiq, por duke thënë se “nuk do të ishte korrekte t’i tregojë opinionet e tij para Ramës”.

“Ne do t’i lëmë dallimet tona dhe do të vazhdojmë bisedimet sonte.” – tha ai.

Çka ndodhi në fund?

Në fund, mediumi opozitar serb, “Danas”, raporton se ka pasur tension mes kryeministrit Rama dhe presidentit Vuçiq, dhe se shkak për këtë ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Rama citohet të ketë thënë se e ka dërguar draft statutin e Asoicacionit te kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, pasi i konsideron ata si “kumbarët e marrëveshjes”.

Këtu, raportohet se ka ndërhyrë Vuçiq me një “ton më të ashpër”, duke pretenduar se “në Serbi, njerëzit i zgjedhin vetë kumbarët e tyre” dhe se “vetëm Serbia mund të propozojë një draft statut të Asociacionit”.

Ndërkohë, Vuçiq ka deklaruar se nuk e ka parë propozimin e Ramës.

Në fillim të konferencës ndërkaq, Rama bëri thirrje që palët t’i përmbahen marrëveshjes së dalë nga “plani franko-gjerman”, derisa shtoi se situata mund të bëhet e njëjtë si në Donbas, ndonëse sipas tij, ka mundësi që të kontrollohet.

“E përsëris atë që thash, e vetmja mënyrë përpara është ajo e rritjes së tensioneve, por rruga e dialogut dhe marrëveshjes që u bë në nivelin e planit franko-gjerman. Nuk dua të përsëris këtu çfarë thash në Prishtinë, por askush nuk duhet ta nënvlerësojë rrezikun që ne do të gjejmë vetën tonë në një situatë të cilën nuk duhet ta lejojmë që të ndodhë, e cila mund të jetë e njëjtë si në Donbas dhe e cila do ta bënte të pamundur për t’u rikthyer në gjendjen që ishte më parë, edhe pse sot është e mundur që të kontrollohet. Duhet të jetë një pikëpamje e përbashkët.” – tha Rama.

Rama në Kosovë

Kryeministri Rama, në kuadër të turit të tij për përgatitjet e Samitit të Procesit të Berlinit, dje qëndroi për vizitë edhe në Kosovë.

Ai takoi presidenten Vjosa Osmani si dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca. Veç kësaj, ai zhvilloi një takim edhe me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

Por ndryshe prej vendeve të tjera të rajonit ku i takoi kryeministrat, Rama në Kosovë nuk u takua me kryeministrin Kurti, pasi siç u bë e ditur, ky i fundit e refuzoi.

Rama në një intervistë për “Klan Kosova”, konsideroi se është “absurde” dhe shprehi “habi” mbi një vendim të tillë të kryeministrit Kurti.

"Është absurde. ‘Më ka ngel hatri nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive’. Por në rregull, si t’ia bëjmë? Ta lëmë Kosovën pa asnjë zë në raportin te kancelaritë, me këto vizita dy ditore? Mua më duket absurde. Prandaj i jam drejtuar në mënyrë shum të përsëritur Albinit. Është e rëndësishme ta bëjmë këtë takim, më thuaj Po ose Jo.” - shtoi Rama.

Lajme të ngjashme