Auditori gjenë ‘një mal’ me parregullësi në KEK: 32 kontrata pa granci bankare dhe nuk dihet çfarë ka ndodhur me tepricat e rrymës
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), një nga ndërmarrjet publike më të kritikuara dhe më të komentuara viteve të fundit për keqpërdorime dhe keqmenaxhim, po rezulton të jetë e tillë edhe bazuar në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila ka evidentuar “një mal” parregullsish në këtë ndërmarrje, kur dihet se KEK-u, sipas raporteve financiare të viteve të fundit, ka pasur qarkullim vjetor në nivelin e qindra milionë eurove.
Në gjetjet e ZKA-së thuhet se KEK-u, për një pjesë të konsumatorëve komercialë (biznese), me të cilët ka lidhur kontrata për furnizim me energji elektrike gjatë vitit 2025, në 32 prej këtyre kontratave nuk ka aplikuar garancion bankar apo parapagim, edhe pse kjo parashihet me ligj.
“Gjatë vitit 2025, ndërmarrja ka nënshkruar kontrata furnizimi me konsumatorë komercialë, me një numër që varion nga 128 deri në 166 kontrata. Megjithatë, në 32 raste nuk është aplikuar garancioni bankar apo parapagimi, pavarësisht se kjo kërkesë është e përcaktuar në kushtet kontraktuale si një masë për menaxhimin e riskut kreditor.”
Sipas Ligjit për Energjinë Elektrike, Nr. 05/L-085 dhe Nr. 04/L-077, aplikimi i garancionit bankar ose parapagimit përbën një mekanizëm të ligjshëm për menaxhimin e riskut kreditor dhe sigurimin e likuiditetit të furnizuesit.
“Sipas Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, nenet 32 dhe 37 përcaktojnë natyrën kontraktuale të marrëdhënies së furnizimit në tregun e liberalizuar. Po ashtu, Ligji Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve garanton lirinë e kontraktimit ndërmjet palëve. Në përputhje me rregullat e ZRRE-së dhe kushtet e licencës së furnizuesit, aplikimi i garancionit bankar ose parapagimit përbën një mekanizëm të ligjshëm për menaxhimin e riskut kreditor dhe sigurimin e likuiditetit të furnizuesit.”
Nga mosaplikimi i garancionit bankar apo parapagimit ndaj 32 kontratave me konsumatorë komercialë, KEK-u ka rrezikuar mospagesën e faturave dhe krijimin e llogarive të paarkëtueshme, si dhe humbje financiare.

Gjithashtu, gjetjet e tjera “skandaloze” në KEK kanë të bëjnë me mungesën e dokumentimit të tepricave të energjisë për tregtim në bursë/ankande, pra auditori nuk ka mundur të gjejë të dhëna (procedura të shitjes në bursa apo ankande) se çfarë ka ndodhur me tepricën e energjisë elektrike.
“Gjatë auditimit kemi identifikuar se ndërmarrja, pas pranimit të raportit të KOSTT-it mbi tepricat e energjisë, nuk ka arritur të dokumentojë vendimmarrjen rreth ndarjes së sasive që do të tregtohen përmes bursës ALPEX/bursave tjera dhe ankandit, e cila sipas procedurave të brendshme duhet të bëhet përmes procesit të vlerësimit, duke u bazuar në kriteret: sasia për tregtim, likuiditeti i bursës, përfitimi ekonomik për ndërmarrjen, të dhënat historike të tregtimit, kapacitetet ndërkufitare dhe indikatorë të tjerë që mund të ndikojnë në kërkesat afatshkurtra dhe afatgjata për tregtim.”
Kjo mungesë transparence në KEK, pra mosdokumentimi, rrit rrezikun për vendimmarrje jo të bazuar në analiza të plota dhe të verifikueshme, duke rrezikuar arritjen e përfitimit optimal ekonomik për ndërmarrjen, si dhe krijon mungesë transparence dhe gjurmueshmërie në proces.

Në gjetje gjithashtu theksohet mungesa e gjurmueshmërisë së komunikimit elektronik në procesin e ankandeve.
Pra, ZKA-ja ngre alarmin se në KEK ka mungesë transparence dhe nuk mund të bëhet gjurmimi apo evidentimi i proceseve të tregtimit të tepricave të energjisë.
“Procesi i tregtimit të tepricave të energjisë është i bazuar në Procedurën për Tregtimin e Energjisë Elektrike (theksuar më lart) dhe realizohet përmes bursave dhe/apo ankandeve. Kjo procedurë përcakton hapat dhe rrjedhën e procesit të tregtimit, mirëpo nuk përmban dispozita të mjaftueshme lidhur me monitorimin sistematik dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm për këto aktivitete. Megjithatë, ndërmarrja gjatë vitit 2024 kishte përcaktuar një lokacion të veçantë për tregtimin e energjisë, të pajisur me kamera mbikëqyrëse, me qëllim pamundësimin e tregtimit nga lokacione tjera dhe kufizimin e qasjes vetëm për persona të autorizuar.”
ZKA-ja ka evidentuar se në KEK procesi i tregtimit të energjisë realizohet përmes një adrese elektronike (e-mail), platformë kjo “Microsoft Exchange Server 2010”, e cila nuk mbështetet më nga prodhuesi dhe rrjedhimisht nuk ka më përditësime sigurie.
Gjithashtu, një tjetër gjetje e ZKA-së është se sistemi nuk regjistron kohën e hapjes së email-it dhe as identitetin e përdoruesit, duke pamundësuar verifikimin e saktë të kohës zyrtare të hapjes së ankandit.
“Nga testimet tona kemi identifikuar se procesi i ankandit për tregtimin e energjisë realizohet përmes një adrese elektronike (e-mail) të menaxhuar në platformën Microsoft Exchange Server 2010, e cila ka arritur fundin e ciklit të mbështetjes nga prodhuesi dhe nuk përfiton më përditësime të sigurisë dhe kibernetike. Gjithashtu është evidentuar mungesa e gjurmëve të auditimit, pasi kutia postare e përdorur për pranimin e ofertave nuk ka të aktivizuara regjistrimet e aktiviteteve të përdoruesve (audit logs). Si rrjedhojë, sistemi nuk regjistron kohën e hapjes së email-it dhe as identitetin e përdoruesit, duke pamundësuar verifikimin e saktë të kohës zyrtare të hapjes së ankandit.”

Duhet theksuar se në vitin 2021, pas ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, në krye të KEK-ut u emërua Nagip Krasniqi, në po atë vit.
Krasniqi u arrestua dhe u pezullua nga detyra në prill 2023, nën dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorim, ndërsa ishte shkarkuar zyrtarisht nga Bordi i Drejtorëve i Korporatës Energjetike të Kosovës më 24 prill 2024.
KEK-u menaxhon qindra milionë euro në vit dhe konsiderohet një nga ndërmarrjet publike më të mëdha në vend. /Nacionale
