Audio-incizimi Kusari – Radoiçiq, PDK-ja dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme: Kjo është draft-rezoluta
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka dorëzuar në Kuvend kërkesën e 42 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Sipas kërkesës, seanca do të mbahet nesër duke filluar nga ora 12:00.
Gazeta Nacionale ka mësuar se në këtë seancë PDK-ja do ta praqes një draft-rezolute ku do të kërkohet të ndërmerren masa ndaj deputetes së VV-së, të cilës dje i është publikuar edhe një pjesë tjetër e bisedës me kriminelin Milan Radoiçiq.
Në piken e parë të draft-rezolutës kërkohet që Prokurori i Shtetit të nis ndjekjen penale ndaj Kusari-Lilës.
“Kërkon nga Prokurori i Shtetit si institucion kushtetues i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale, që të iniciojë hetime penale në përputhjen me legjislacionin në fuqi ndaj kryetares së Grupit Parlament të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, lidhur me komunikimet e saj me Milan Radoiçiqin”, thuhet në piken e parë të dokumenti.
Kurse, në piken e dytë kërkohet nga VV-ja që të merren masa ndaj.
“Kërkon nga Grupi Parlamentar i LVV-së shkarkimin e Mimoza Kusari-Lilës nga funksioni i kryetares se grupit parlamentar”, thuhet në tekstin e draft-rezolutës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Abelard Tahiri, ka shkruar se biseda e Kusari-Lilës me Radoiçiqin është një turp, i cili nuk mund të kalojë.
“Në emër të 42 deputetëve, sapo dorëzova në Kuvend kërkesën për Seancë të Jashtëzakonshme për ditën e nesërme nga ora 12:00, lidhur me urgjencën që përfshinë sigurinë dhe kredibilitetin e kësaj Republike, për të kuptuar se sa thellë e ka përfshirë ky pushtet, terroristin Milan Radojçiq, në diktimin e agjendës së Kuvendit të Kosovës. Ky turp nga rrafshi moral e ky degradim nga rrafshi institucional, ku një terroristi dhe një personi që gjendej në Listën e Zezë të SHBA-vë, iu është mundësuar ta diktojë agjendën e Kuvendit të Kosovës, nuk mund të kalojë pa përgjigje”, ka shkruar ai.
Ai e ka ftuar deputeten e VV-së që t`i publikojë cfardo fotografie që ka për opozitën.
“Njëherit, në përpjekje për t’ia ndryshuar kahjen këtij mega skandali, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, tha sot në Kuvend se “imagjinoni kur do të dalin fotot e përurimit të shtëpisë së Radojçiqit, imagjinoni kur dalin dhuratat për fëmijët e Radojçiqit nga zyrtarë e udhëheqës” duke aluduar se ajo i di dhe i ka parë të njëjtat. Populli nuk meriton mjegull. Prandaj, e ftoj zonjën Kusari që nesër, para seancës në konferencë për media, apo gjatë seancës, t’i publikojë këto fotografi një për një, të evidentojë me emër e mbiemër dhe pozitë, të gjithë ata që paskan qenë në përurimin e shtëpisë së Radojçiqit dhe që i paskan dërguar dhurata atij”, ka shkruar Tahiri.