“Atë policin që e kanë vra” – 12 vjet nga rënia e Enver Zymberit, si fliste Kusari-Lila për policin hero para Simiqit?
Sot shënohet 12 vjetori i vrasjes së policit hero të Kosovës, Enver Zymberi. Gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në vitin 2011 për marrjen e pikave kufitare, Zymberi ishte vrarë nga bandat kriminale serbe në pjesën veriore të Kosovës.
E sot me rastin e 12-vjetorit të vrasjes së tij, do të ketë disa organizime në mesin e të cilave edhe ajo në kampin “Belvedere” ku ky kamp do të quhet tash e tutje “Enver Zymberi”.
Megjithatë, vetëm pak ditë më parë në disa incizime që i publikoi gazeta Nacionale, dëgjohet teksa shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila fliste për Enver Zymberin.
Megjithatë, ajo para deputetit serb, Slavko Simiq, Zymberit iu referua si “ai polici që e kanë vra”. Pa përmendur për asnjë moment faktin që Enver Zymberi ishte vrarë nga bandat serbe në veri.
“Aq ma bën për Uran Ismailin. Ai është... Ka vdekur ai lajm. Ai është idiot patetik, të them. Urani ka qenë shok i imi. Me Uranin kemi qenë në Qeveri, kur unë kam qenë Ministre. Me Uranin kemi pasur shoqëri të mirë. Urani ka qenë një nga djemt urbanë që kanë shkuar në PDK. Kemi pasur marrëdhënien më të mirë. Urani, dy herë, jo një herë, dy herë, publikisht, më ka sulmuar në mënyrën më të ultë. As të tjerët nuk kanë bërë çfarë ka bërë ai. Herën e parë e ka bërë, e di atë policin Enver Zymberi që e kanë vrarë, po flisnim për gjendjen në energji në Komision, ai ende ishte deputet atëherë”, deklaron Kusari-Lila gjatë kësaj bisede.
Madje, ajo thotë se nuk do të ndërmarrin aksione në veri “që policët të kthehen në arkivol”.

“I thash e çfarë dëshiron, të dërgosh policinë, të kesh një krizë të re? Të kesh policë që patrullojnë e kthehen në arkivole?”, i thoshte Kusari-Lila deputetit serb Simiq.
Kjo deklaratë kishte shkaktuar reagime të ashpra në Kosovë nga përfaqësues të partive politikë, analistë e qytetarë.
Kush është Enver Zymberi?
26 korriku është data në të cilën përkujtohet polici Enver Zymberi që u vra në detyrë, gjatë një aksioni në veri të vendit.
Mbi 20 minuta luftime kishin pasur 50 policë të Kosovës me 10-15 serbë. Por një plumb i vetëm snajperi e kishte rrokë në ballë, policin Enver Zymberi. Ajo ishte nata më e gjatë dhe e tmerrshme për njësitë speciale të Policisë së Kosovës, që ishin të rrethuara nga serbë të armatosur.
Një plumb snajperi në ballë, i kishte marrë jetën edhe policit Enver Zymberi 12 vjet më parë.
Derisa, polici Enver Zymberi ka marrë edhe titullin “Hero i Kosovës”, me motivacionin “për trimërinë dhe përkushtimin e treguar deri në flijim për vendosjen e sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Sot në nderim të rënies së tij, do të ketë disa aktivitete. Kjo ditë gjithashtu është shënuar edhe si ditë për përkujtimin e policëve të rënë në detyrë.