Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë reagon pasi Iljasa Fazliu u shpall i pafajshëm: Goditje të rëndë për sigurinë e fëmijëve
Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë ka reaguar pas raportimit të Nacionales për lirimin nga akuzat logopedin Iljasa Fazliu për keqtrajtimin e vazjës 4-vjeçare.
ANAK-ja në reagimin e tyre ka thënë se ky vendim është një goditje e rëndë për sigurinë e fëmijëve.
“Vendimi për shpalljen e pafajësisë së këtij logopedi është mbështetur në raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i cili konstatoi se gjuha e përdorur nga Iljasa Fazliu nuk kishte ndikuar negativisht në gjendjen shëndetësore të vajzës. Ky vlerësim është bërë pa u takuar asnjëherë komisioni me fëmijën dhe pa kryer ndonjë ekzaminim të drejtpërdrejtë. Për më tepër, gjuha e përdorur në këtë vendim është tejet stigmatizuese ndaj personave me autizëm.” – thuhet ndër të tjera.
Klikoni KËTU për të lexuar raportimin e Nacionales.
Reagimi i plotë:
Në vitin 2022, të gjithë u tronditëm nga një audio-inçizim që dëshmoi trajtimin çnjerëzor nga një logoped ndaj një vajze 3-vjeçare me autizëm.
Ditë më parë, Gjykata Themelore në Gjilan shpalli të pafajshëm logopedin Iljasa Fazliu për veprën penale “Trajtimi i pa ndërgjegjshëm mjekësor”.
Ky vendim përbën një goditje të rëndë për sigurinë e fëmijëve, besimin e prindërve dhe respektimin e standardeve etike nga profesionistët që punojnë me persona me nevoja të veçanta në Kosovë.
Vendimi për shpalljen e pafajësisë së këtij logopedi është mbështetur në raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i cili konstatoi se gjuha e përdorur nga Iljasa Fazliu nuk kishte ndikuar negativisht në gjendjen shëndetësore të vajzës. Ky vlerësim është bërë pa u takuar asnjëherë komisioni me fëmijën dhe pa kryer ndonjë ekzaminim të drejtpërdrejtë. Për më tepër, gjuha e përdorur në këtë vendim është tejet stigmatizuese ndaj personave me autizëm.
Fëmijët me autizëm janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj zërave të lartë dhe ndaj situatave stresuese që mund të mbeten të fiksuara në kujtesën e tyre, duke ndikuar negativisht në vetëvlerësimin, sigurinë dhe përparimin e tyre afatgjatë.
Edhe prokuroria ka kundërshtuar këtë ekspertizë, duke argumentuar se është hartuar nga ekspertë joadekuatë. Në aktakuzë është përmendur edhe deklarata problematike e kryetares së komisionit, e cila ka thënë se komisioni nuk ka llogaritur zërin e fëmijës si britmë. Kështu, prokuroria ka theksuar se raporti nuk i përmbush standardet e nevojshme për të qenë i besueshëm.
Është e papranueshme që logopedi Iljasa Fazliu edhe sot vazhdon të shërbejë si logoped në QKUK.
Ne i bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të rishikojnë këtë rast me urgjencë, duke siguruar një proces të drejtë dhe transparent.