Asociacioni: Përfundon takimi në rezidencën e ambasadorit Hovenier, s'ka prononcime
20:56 - Takimi joformal i mbajtur në rezidencën e ambasadorit amerikan në Kosovë raportohet se ka përfunduar, por nuk ka pasur prononcime dhe rrjedhimisht, nuk dihet se çfarë është diskutuar.
KosovaPressraporton se nuk ka pasur deklarime para mediave në lidhje me takimin.
19:30 - Ka filluar takimi joformal i thirrur nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ku çështje kryesoe e diskutimit pritet që të jetë ajo e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në vendin e ngjarjes tashmë kanë arritur ambasadorë të tjerë, përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile.
Ndryshe nga ai i para 10 ditëve, kësaj here takimi do të mbahet në rezidencën e ambasadorit Jeff Hovenier, e jo në objektin e Ambasadës. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ambasada e ShBA-së e konfirmoi takimin, duke shtuar se nuk ka asnjë program formal dhe as temë të diskutimit.
“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje joformale në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme. Nuk ka program formal e as temë të diskutimit.” – deklaroi një zëdhënës i Ambasadës për Nacionale.
Çka dihet?
Jozyrtarisht, Nacionale ka mësuar që në këtë takim janë të ftuar partitë politike në vend, ndërsa takimi do të mbahet sot (pra e mërkure) me fillim nga ora 18:30. Deri tani, Nacionale jozyrtarisht e ka konfirmuar pjesëmarrjen e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri në takim. Por i ftuar është edhe PDK-ja.
Ndërsa në një përgjgije për gazetën Nacionale, AAK-ja e ka konfirmuar ftesën dhe pjesëmarrjen e Ardian Gjinit në takim.
"AAK-ja është ftuar në takim. Përfaqësues do të jetë Ardian Gjini" – deklaroi Lulzim Blaka nga AAK-ja.
Rreth takimit, Nacionale i ka shënuar edhe Qeverisë së Kosovës. Më saktësisht, Nacionale e ka pyetur Përparim Kryeziun, zëdhënësin e Qeverisë Kurti, nëse kanë pranuar ftesë dhe nëse do të shkojnë në këtë takim në rezidencën e ambasadorit Jeff Hovenier.
Në takim pritet të shkojë edhe Ismet Kryeziu, drejtori ekzekutiv i KDI-së, një nga organizatat joqeveritare më të rëndësishme në vend.
Kurti "e pranon" edhe Asociacionin, me gjashtë kushte
Pas krejt kundërshtimeve, Kurti dha një fjalim që u kuptua si zbutje e qëndrimit të tij, duke prezantuar gjashtë kushte për formimin e Asociacionit.
Këto janë gjashtë kushtet e Qeverisë Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.


