“Pa temë formale”: Takimi në rezidencën e ambasadorit amerikan, çka dihet deri tash? - NACIONALE

“Pa temë formale”: Takimi në rezidencën e ambasadorit amerikan, çka dihet deri tash?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thelluar përpjekjet për një rrugëdalje rreth zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas takimit të 31 janarit, ku morën pjesë pushteti e opozita, por jo Albin Kurti, kryeministri i paftuar, Ambasada e ShBA-së do të organizojë një takim edhe sot. Në fakt, është një “mbledhje joformale”. Por çka dihet deri tash për “mbledhjen joformale”?

Zyrtarisht, “mbledhja joformale” vjen pas takimit të 31 janarit, të cilin Ambasada amerikane vazhdon ta quaj si diskutim produktiv. Kësaj radhe, takimi do të mbahet në rezidencën e ambasadorit Jeff Hovenier, e jo në objektin e Ambasadës. Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ambasada e ShBA-së e konfirmoi takimin, duke shtuar se nuk ka asnjë program formal dhe as temë të diskutimit.

“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje joformale në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme. Nuk ka program formal e as temë të diskutimit.” – deklaroi ky zëdhënës për Nacionalen.

Në fakt, siç ka paralajmëruar Ambasada amerikane, takimi në rezidencë vjen pas takimit të 31 janarit, ku u diskutua gjerë e gjatë çështja e Asociacionit. Andja logjikisht, tema e Asociacionit do të mbizotërojë edhe këtë “mbledhje joformale”.

Jozyrtarisht, Nacionale merr vesh që në këtë takim janë të ftuar partitë politike në vend, ndërsa takimi do të mbahet sot (pra e mërkure) me fillim nga ora 18:30. Deri tani, Nacionale jozyrtarisht e ka konfirmuar pjesëmarrjen e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri në takim. Por i ftuar është edhe PDK-ja.

Ndërsa në një përgjgije për gazetën Nacionale, AAK-ja e ka konfirmuar ftesën dhe pjesëmarrjen e Ardian Gjinit në takim.

"AAK-ja është ftuar në takim. Përfaqësues do të jetë Ardian Gjini" – deklaroi Lulzim Blaka nga AAK-ja.

Rreth takimit, Nacionale i ka shënuar edhe Qeverisë së Kosovës. Më saktësisht, Nacionale e ka pyetur Përparim Kryeziun, zëdhënësin e Qeverisë Kurti, nëse kanë pranuar ftesë dhe nëse do të shkojnë në këtë takim në rezidencën e ambasadorit Jeff Hovenier.

Në takim pritet të shkojë edhe Ismet Kryeziu, drejtori ekzekutiv i KDI-së, një nga organizatat joqeveritare më të rëndësishme në vend.

Takimi i 31 janarit...

Kujtojmë që muajin që shkoi, më saktësisht më 31 janar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte organizuar një takim në objektin e saj, në të cilën morën pjesë shumë personalitete, përfshirë dy anëtarë të Qeverisë Kurti nga radhët e komuniteteve pakicë. Por në takimin e ftuar nga Hovenier shkoi edhe Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë dhe Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, të cilët janë po ashtu pjesë e partisë së kryeministrit Albin Kurti.

Ndryshe, pas takimit të 31 janarit në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë rreth Asociacionit, u pa një reflektim nga ana e kryeministrit Albin Kurti, i cili e pranoi këtë marrëveshje, ndonëse i vendosi disa kushte.

Por Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë e kishte shpallur publikisht se ai nuk ishte ftuar në takimin e 31 janarit, duke kritikuar Gabriel Escobarin si zyrtarin që e shtyu organizimin e takimit në Ambasadën Amerikane.

“Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.” – citohet të ketë thënë tutje ai.

Ndërsa, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, që e moderoi diskutimin në fjalë, u shpreh me anë të një postimi në Twitter njoftoi për një gjë të tillë.

“Sot ne mbajtëm një sesion dëgjimor në Ambasdën e ShBA-ve në Prishtinë mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mirënjohës për palët e interesit që ishin të pranishme e që ndanë pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve në Dialog,” – shprehej ai.

Lajme të ngjashme