“Askush nuk mund t’i bllokojë institucionet”: Presidentja sot i çon komentet në Kushtetuese, çka paralajmëroi mes rreshtash? - NACIONALE

“Askush nuk mund t’i bllokojë institucionet”: Presidentja sot i çon komentet në Kushtetuese, çka paralajmëroi mes rreshtash?

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese komentet lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve.

Kështu kanë bërë të ditur dje nga Presidenca.

“Siç e dini, Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator”, u tha në përgjigje.

Megjithatë, mes rreshtash, qëndrimi i presidentes, duket të jetë në linjë me atë të VV-së.

Në përgjigje, u tha se askush nuk mund t’i bllokojë institucionet.

“Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve.”, thanë nga Presidenca.

E për këtë, Osmani sot do të mbajë konferencë për media nga ora 12:00.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator për të vendosur për çështjen e ngritur nga Lista Serbe për çështjen e Nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës, dhe mbylljen e seancës konstitutive nga Kryetari Dimal Basha, edhe pa zgjedhjen e një Nënkryetari serb të Kuvendit, pozitë kjo e garantuar në Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës.

Por, thirrjen dhe konstatimin që "askush nuk mund të bllokojë" Osmani nuk e ka invokuar në muaj të tërë uzurpim procedural nga Avni Dehari për të ashtuquajturin "Komision për Votim të Fshehtë" i cili në fund u shpall antikushtetues.

Nga Vetëvendosje dje pati sulme të rënda ndaj Gjykatës Kushtetuese, sulme këto me nëntekste diktimi të vendimit se çfarë duhet ta marrin: Glauk Konjufca, madje e çoi, se e “e treta, e paimagjuenshmja, do të thotë tradhti shtetërore”. Nga VV ‘porositë’ ndaj Gjykatës Kushtetuese ishin që ose të konsiderohet i konstituuar Kuvendi i Kosovës, ose të marrin vendim për shkaurjen në zgjedhje të reja.

“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai.

“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm”, tha Konjufca. “Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”, tha Konjufca.

Lajme të ngjashme