As ‘de facto’ as ‘de jure’: Kisha Ortodokse Serbe del me kërkesë ndaj Beogradit për mosnjohje të Kosovës
Në Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Nenin 7, parashihet edhe formalizimi i Statusit (disa thonë special) i Kishës Ortodokse Serbe. Kjo pikë kishte ardhur si nga qielli për shumë kënd kur dihet që pozita e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovës është e sanksionuar me ligj qysh në Planin Ahtisaarit. Ky institucion fetar gëzon mbrojtje të madhe brenda shtetit të Kosovës, shtet të cilin, paradoksalisht, ky institucion nuk e njeh. Megjithatë, doli që Plani i Ahtisaarit nuk u paska mjaftuar.
Tashmë kur Marrëveshja e Ohrit pritet të shohë jetësimin e saj përtej letrës e në praktikë, Kisha Ortodokse Serbe, doli me një reagim ku kërkoi nga shteti serb që assesi Kosova të mos njihet “as juridikisht as faktikisht”. Komunikata e tyre ësht krejtësisht e natyrës politike dhe në pajtim të plotë me narracionin e Beogradit zyrtar.
“Në seancat e Kuvendit të Shenjtë të Ipeshkvijve në të gjitha vitet e kaluara, Kisha jonë ka treguar qartë dhe pa mëdyshje, dhe në seancën e sivjetshme, tregon se pranimi i pavarësisë së vetëshpallur të Kosovës, drejtpërdrejt ose tërthorazi, de facto ose de jure, do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të drejtën ndërkombëtare, të vendosur në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe akte dhe parime të tjera përgjithësisht të zbatueshme. Një gjë e tillë nuk e ka mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe as të shumicës së vendeve të botës, përfshirë pesë vendet e Bashkimit Evropian”, u tha në një komunikatë të Kishës Ortodokse Serbe të botuar më 19 maj.
Një kishë, në një shtet që supozohet të jetë sekular, dhe që përbrenda vetes ka pushtet dhe mision vetëm në mirëqenien shpirtërore të besimtarëve të saj, lëshohet në deklarime politike. Por, kjo s’është gjë e re, dhe komunikata e tyre nuk përmban vetëm kaq. Është pothuajse në tërësi në linjë me narracionin viktimizues të Beogradit zyrtar.
“Kjo në mënyrë të pashmangshme do të shkaktonte shtimin e emigrimit të popullit serb dhe do ta bënte të pamundur jo vetëm bashkëjetesën paqësore të të gjithëve, pavarësisht prejardhjes etnike dhe fetare, por edhe vetë mbijetesën e popullit tonë në vatrat e tij shekullore. Prandaj, zgjidhjet duhet të kërkohen ekskluzivisht në respekt të parimeve që janë njëlloj të vlefshme për të gjithë në botë”, vazhdojnë ata.
Kisha Ortodokse Serbe vazhdon t’i qëndrojë iluzionit se Kosova është e pandarë nga Serbia, dhe kërkesës ndaj shtetit serb për të mos lejuar ndarje. Kontradiktat, megjithatë, i kanë vetëevidente. Në njërën anë kërkesë të rreptë për të moslejuar ndarjen e Kosovës me shumicë dërrmuese shqiptare, dhe në anën tjetër për bashkëjetesë mes serbëve dhe shqiptare përmes tolerancës së ndërsjellë; ndërkaq mes rreshtash bërtet mostoleranca ndaj një fakti të njohur ndërkombëtarisht të Kosovës së pavarur.
“Duke ripërsëritur qëndrimin tonë se jemi kundër çdo ndarjeje të Kosovës nga Serbia, Kuvendi u bën thirrje shqiptarëve dhe serbëve që vështirësitë që kanë t'i zgjidhin në frymën e tolerancës dhe respektit të ndërsjellë, veçanërisht pasi ishte vullneti i Zotit që të dy popujt të ndajnë e njëjta hapësirë jetese në Kosovë, e sidomos e shqiptarëve të atyre viseve ku janë shumicë, të bëjnë gjithçka për të arritur tolerancën reciproke dhe respektin reciprok në mënyrë që të kemi një jetë normale dhe më të mirë për çdo qytetar të Kosovës”, shkruajnë ata.
Çfarë mbrojtjesh të mëdha gëzon kjo Kishë në Kosovë?
“[…] sigurimin ekzistencës dhe operimit të pakufizuar dhe të papenguar të Kishës Ortodoke Serbe në Kosovë. Kisha dhe organizatat e saj të brendshme do të njihen hapur nga autoritetet e Kosovës, prona e saj do të jetë e paprekshme, do të gëzojë privilegje në taksa dhe detyrime doganore. Zonat e mbrojtura do të krijohen në më shumë se rreth 40 hapësira religjioze dhe kulturore kyçe. Pa paragjykuar pronësinë e pronave në zonat e mbrojtura, kufizime të veçanta do t’u aplikohen aktiviteteve brenda këtyre zonave të mbrojtura për të garantuar ekzistencën dhe funksionimin e këtyre hapësirave fetare dhe kulturore […]”.
Kështu shkruhet në Kapiutllin 2, Pikën 6 të Propozimit të Ahtisaarit.
Në Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila është bërë “ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e detyrueshme” për palët, Neni 7 përcakton se Kosova do të formalizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe. Megjithatë, për pak kënd kjo ka kuptim, pak kush e ka të qartë se çfarë do të thotë kjo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur më 23 shkurt garantonte se Kishës Ortodokse Serbe nuk t’i njohë “asgjë të veçantë, privilegjuese e as historikisht kontestuese”.
Formalizimi, sipas tij, nënkupton njohjen e Kishës Ortodokse Serbe si person juridik fetar, përkatësisht bashkësi fetare në legjislacionin e brendshëm të Republikës së Kosovës. “Nuk nënkupton asgjë të veçantë”, shprehej ai, ndërsa besonte se gjërat janë ashtu siç janë ngase “i kam trashëguar”.
“I takon një analize politiko-historike të përcaktojë se kush janë faktorët që ajo ka rezultuar të jetë e tillë”.
“Në propozim përmbahet një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe. Formalizimi nuk nënkupton negociim mbi statusin e saj, e as diskutim mbi të drejtat e veçanta […] Formalizimi nënkupton njohjen e Kishës Ortodokse Serbe si person juridik fetar, përkatësisht bashkësi fetare në legjislacionin e brendshëm të RKS. Nuk nënkupton asgjë të veçantë”, shprehej kryeministri.