Artan Abrashi për Çitakun: Ajo vet u angazhua për ndarjen e Kosovës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas kërkesës së ish-ambasadores Vlora Çitakut, drejtuar kryeministrit Kurti.
Çitaku ka kërkuar sqarime nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë është e pamundur në këtë fazë.
“Mirëpo ajo që më shqetëson është heshtja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Sigurisht unë e kuptoj natyrën e punës dhe diskrecionin që ndonjëherë ta imponon diplomacia. Po një përgjigje duhet dhënë”, ka thënë Çitaku.
Ndërsa në anën tjetër Abrashi, e ka pyetur Çitakun se si është angazhuar ajo për ndarjen e Kosovës.
“Një pyetje për Vlora Çitakun, meqë është shumë e dijshme dhe profesionale: a na sqaron ajo se si u katandisë Kosova, që 3 vjet pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u pajtua për të nënshkruar marrëveshjen për Zajednicë, dhe se si 20 vjet pas luftës dhe 11-12 vjet pas shpalljes së pavarësisë, ajo vet u angazhua për ndarjen e Kosovës”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
