Arsyetohet Erion Veliaj, pretendon se është zgjatur rruga “Ibrahim Rugova” - NACIONALE

Arsyetohet Erion Veliaj, pretendon se është zgjatur rruga “Ibrahim Rugova”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, po pretendon se rruga “Ibrahim Rugova” nuk është shkurtuar, por është zgjatur. Ai madje, thotë se pas reagimeve ka pasur edhe një bisedë me të birin e ish-presidentit historik, Ukë Rugova.

Në një intervistë për “Top News”, ai ka arsyetuar se si, sipas tij, është zgjatur kjo rrugë.

“Tani le të sqarojmë faktet: Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Rruga ‘Ibrahim Rugova’ jo vetëm që nuk është shkurtuar, por është zgjatur dhe po ua shpjegoj pse. Ajo fillon tek Ura e Lanës, vazhdon te Presidenca, pastaj te sheshi ‘Shopen’, por nuk përfundon aty, sepse me hapjen e ish-Gardës së Republikës, vijon matanë saj, duke u zgjatur edhe me 300 metra të tjera. Pjesa tjetër e rrugës, segmenti nga ‘Shallvaret’ te ‘Banka e Shqipërisë’ quhej rruga ‘4 Shkurti’. Ka 7-8 vjet që quhet kështu. Organizatat e Veteranëve na kërkuan saktësimin e emërtimit të saj në ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’” – ka thënë ai.

Ndërkohë, Veliaj pretendoi se ka biseduar me Ukë Rugovën, për të cilin thotë se ishte jashtëzakonisht mirëkuptues.

“I kam shpjeguar situatën dhe ai ishte jashtëzakonisht mirëkuptues. Unë jam mik me atë familje. Në zyrën time, familja Rugova mori nënshtetësinë shqiptare. Ishte një nder i madh për mua! Znj. Rugova vinte për herë të parë në Shqipëri, kështu që, unë kam detyrimin t’ia shpjegoja familjes Rugova dhe ata, jo vetëm janë të qarte, por edhe dashamirës, madje së bashku po planifikojmë vendosjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës në një nga sheshet e rrugës që tani është zgjatur. Pra, kalon edhe ish-Gardën e Republikës dhe del te Diga e Liqenit Artificial sepse është vazhdim i asaj rruge, mes për mes ish-Gardës. Do të jetë një pedonale shumë e bukur dhe ndoshta aty është edhe vendi ideal për një shtatore të Ibrahim Rugovës.” – ka thënë ai.

Lajme të ngjashme