"Tkurrja e Ibrahim Rugovës" në Tiranë nxit reagime në të dy anët e kufirit - NACIONALE

"Tkurrja e Ibrahim Rugovës" në Tiranë nxit reagime në të dy anët e kufirit

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Mediat në Tiranë raportuan sot se autoritetet lokale të Bashkisë kanë vendosur që rruga që mbante emrin e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova të shkurtohet dhe tashmë është propozuar që një pjesë e kësaj rruge të emërtohet "Dëshmorët e 4 shkurtit".

Kjo ka shkaktuar reagime të ndryshme, sepse duket se segmenti i rrugës që mban emrin e Rugovës do të “copëtohet”.

Ky segment i ri i emërtuar ndodhet nga Banka e Shqipërisë deri në lumën e Lanës dhe po përcillet me reagime në Kosovë dhe Shqipëri.

Ndaj kësaj situate, fillimisht ka reaguar Jorida Tabaku, deputete e qarkut të Tiranës në Parlamentin e Shqipërisë, e cila tha se është hequr emri i “Ibrahim Rugovës” për “4 shkurtin”.

“Në 17 shkurt 2012 Tirana inauguroi rrugën Ibrahim Rugova në aksin Banka e Shqipërisë deri në hyrje të Liqenit Artificial. Qe nder dhe privilegj për Tiranën dhe tiransit që një figurë e çmuar dhe me rëndësi për kombin tonë të kishte atë emër në atë vend. Vendimi u mor pas një kërkese që familja e Ibrahim Rugovës na drejtoi ne si bashki dhe Këshilli Bashkiak e nderoi qytetin e Tiranës me një patriot, arkitektin e Kosovës së Lirë.” – ka thënë ajo.

E njëjta, ka pretenduar se kjo rrugë është “copëtuar”, duke u sajuar një tjetër (duket se e ka fjalën për segmentin e lartëpërmendur”, me emërtimin e një date tjetër.

Fatkeqësisht, lufta e klasave rikthyer në 2023 e copëtoi këtë rrugë duke sajuar një tjetër gjysma rrugë me emërtim të një date që nuk është se personifikon apo bashkon dhe aq shqiptarët e aq më pak qytetarët e Tiranës. Se si mund të ulësh përbri rrugës Ibrahim Rugova hallin elektoral të Erion Veliaj, që do të prodhojë dëshmorë, vështirë se mund të kuptohet. Lë pastaj të përziesh historinë dhe ta retushosh.” – ka shkruar ajo mes tjerash.

Në lidhje me këtë, ka reaguar edhe Flamur Gashi, anëtar i këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, duke e cilësuar këtë veprim si turp.

Ai madje, ka thënë se po vazhdon “urrejtja patologjike” ndaj Kosovës, siç i ka quajtur ai “nga ana e neokomunisteve dhe pinjolleve ideologjik te Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshes ne Tiranë”.

I zëshëm për këtë çështje ishte edhe kreu opozitar dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Berisha tha se se ky akt turpi është urrejtje e Ramës e Veliajt ndaj Rugovës e veprës së tij.

"Ky është një akt turp i urrejtjes së Edi Ramës dhe Erion Veliajt ndaj presidentit Rugova dhe veprës së tij dhe Kosovës", tha fillimisht ai.

Tutje, Berisha vlerësoi se ky vendim si dhe refuzimi i vazhdueshëm për vendosjen e shtatores së ish-presidentit Rugova në kryeqendrën shqiptare janë zbatim i urdhërave nga Beogradi.

"Ky vendim njëlloj si refuzimi i tyre për vendosjen e shtatores së presidentit Rugova dhe qëndrime tjera armiqësore ndaj Kosovës janë zbatim i urdhërave të dhënë nga Beogradi për vasalët e tij në Tiranë", pohoi ai.

Reagime edhe nga Kosova

Deputeti i Lidhjes Demokrtike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se vendimi i kryetarit të Tiranës Erion Veliajt, për ta shkurtuar rrugën “Ibrahim Rugova” e shkurton vetëm kryeqytetin shqiptar.

Në vazhdën e këtyre përpjekjeve është tash tentimi i Tiranës për të tkurrur emrin e Ibrahim Rugovës duke tkurrur, shkurtuar, rrugën me emrin e tij. Kjo marrëzi e tkurr veç Tiranën, assesi Rugovën, viganin e kombit në mesin e atyre nga Gjergj Katrioti deri te Gonxhe Bojaxhiu”, - shkruan Mustafa në llogarinë e tij në Facebook.

Mustafa mendon se e djathta politike shqiptare duhet me doemos të bashkoj forcat.

“E djathta shqiptare, fatkeqësisht, e dërrmuar jo pak edhe nga betejat e brendshme shpirtvogla e shpirtliga, kemi mbetë anash e i kemi parë “seri” këto shkatërrime nga larg. Bashkimi e forcimi ynë është domosdoshmëri e urgjencë”, - thotë deputeti opozitar.

Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka shkruar se Rugova është figura më e madhe shqiptare e shekullit dhe sipas tij s’ka rëndësi çka bën pushteti kalimtar i Rilindjes.

“Presidenti Ibrahim Rugova, Ati Themeltar i shtetit të Kosovës, është figura më e madhe shqiptare e shekullit. S’ka rëndësi çka bën pushteti kalimtar i Rilindjes. Ibrahim Rugova është President historik.” – ka shkruar Hamiti.

E për publicistin Nexhmedin Spahiu, ndryshimit e emrit të një pjese të rrugës “Ibrahim Rugova” është poshtërim i figurës së ish-presidentit Rugova.

“Shpreh fuqishëm protestën për ndryshimin e emrit të gjysmës së rrugës "Ibrahim Rugova" në Tiranë. Ky është një poshtërim figurës se themeluesit të shtetit të Kosovës që po ia bëjnë Edi Rama e Erion Veliaj”, ka shkruar Spahiu.

E “çuditërisht” reagim pati edhe nga aktivisti e zyrtari i Vetëvendosjes në Tiranë, Elvis Hoxha.

Ai ka shkruar se ky veprim është armiqësi e kryetarit të Tiranës, Erion Veliaj.

“Emri i një rrugë shumë dinjitoze e humb emrin e saj Ibrahim Rugova. E kanë përgjysmuar rrugën. Nuk ka asnjë arsye. Kjo është një armiqësi e pashembullt e kryebashkiakut të Tiranës”, ka shkruar Hoxha në Facebook.

Mirëpo, sa i përket kësaj çështje, ende nuk ka pasur ndonjë reagim nga ana e kryetarit Erion Veliaj, apo autoriteteve tjera nga Bashkia e Tiranës.

Lajme të ngjashme