Arsimi me defekte: Kurti shqetësohet për rezultatet e tmerrshme në PISA
Kosova është rëndtur pothuajse në fund në të gjitha kategoritë e testit PISA. Për herë të parë, në lidhje me këtë është deklaruar kryeministri Albin Kurti i cili ka folur për “defekte” në sistemin arsimor.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës e cila po mbahet aktualisht, Kurti fillimisht e nisi me disa lavdata për qeverisjen e tij, duke u shprehur:
“Qysh herët në qeverisjen tonë, arsimin e lartë e bëmë falas, sepse besojmë që është e drejtë që u takon, e jo shërbim për të paguar. Për studentë, për tri vite akademike, krahas bursave për notë mesatare, ndamë bursa të tjera 5000 për studime Brenda dhe jaashtë vendit. Shkollimin profesional po e rrisim me tregun e punës përmes arsimit dual…Pra të rijtë tanë po i përgatisim me kohë për nevojat e tregut, duke investuar që sot për punësimin e tyre nesër”.
Kurti më tutje u shpreh që janë të shqetësuar me rezultatet e këtij testi, dhe sipas tij, ka defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor.
“Natyrisht që jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA për vendin tonë të cilat treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë, dhe nuk mund të rregullohen as përnjëherë as shpejtë.” – deklaroi ai.
Sipas kryeministri Qeveria angazhohet për kushte të mira të mësimdhënies, por sipas tij, edhe mësimdhënësit duhet të kenë kujdes.
“PISA po tregon që në fëmijërinë relativisht të hershme, diçka nuk po shkon mirë. Qeveria angazhohet për kushte të mirë të mësimdhënies e mësimnxënies. Mësimdhënësit duhet të kujdesen që të motivojnë, inspirojnë e të garantojnë që nxënësit po mësojnë dhe po dijnë.” – deklaroi ai tutje.
Ndërkohë, Kosova ka zënë vendin e 76-të nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, kurse vendin e 77-të nga 80 shtete për shkencë.
Kurse, në matematikë Kosova renditet në vendin e gjashtë nga fundi.
Rezultatet e testit u publikuan gjatë javës së kaluar.
Kjo ishte hera e tretë që mori pjesë Kosova në këtë vlerësim, përderisa rezultate pothuajse të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën.
Ndërkohë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, vitin e kaluar kishte thënë se nuk mund të priten rezultate të mira pasi testi është mbajtur gjatë pandemisë, dhe sfidat kanë qenë të shumta.
E Arbërie Nagavci, ka theksuar se këto kanë qenë rezultate të pritshme duke pasur parasysh problemet me mësimin gjatë pandemisë.
“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim.” – kishte deklaruar Nagavci në një konferencë për shtyp.
Vlen të theksohet se një vlerësim i tillë për nxënësit e Kosovës, u përcoll me reagime të shumta në vendin tonë.