Arrestohet edhe një serb në veri: Sveçla përgëzon policinë, Lista Serbe u jep "ultimatum" ndërkombëtarëve - NACIONALE

Arrestohet edhe një serb në veri: Sveçla përgëzon policinë, Lista Serbe u jep "ultimatum" ndërkombëtarëve

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Arrestimi i një serbi tjetër sot në Jarinje – i dyshuar për sulmin ndaj gazetarëve në veri – nga Policia e Kosovës është shoqëruar me një reagim të ashpër të Listës Serbe, e cila i ka dhënë ultimatum ndërkombëtarëve që ta “ta pengojë Kurtin të provokojë luftë”. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në anën tjetër, ka shprehur vlerësimin e tij për veprimin e policisë, duke e cilësuar atë si një hap drejt vendosjes së rendit dhe ligjit në Kosovë. Sveçla ka theksuar se aktet kriminale nuk do të tolerohen në një vend demokratik si Kosova.

Në njoftimin për arrestimin e serbit Dalibor Spasic,, ministri Sveçka përgëzoi Policinë e Kosovës për "efikasitetin në kryerjen e detyrave" dhe ka shtuar se "ligji duhet të zbatohet ndaj të gjithëve pa dallim."

“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje edhe një sulmues i gazetarëve në veri, krimineli Dalibor Spasic. Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës.” – ka shkruar Sveçla.

Ai tutje ka thënë se në vendin tonë demokratik "aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja".

“Në vendin tonë demokratik aktet kriminale nuk kalojnë pa pasoja. Këtë duhet ta dijnë edhe ata për të cilët nuk ka pasur pasoja ligjore për gjithë këto vite. Republika nuk zmbrapset përballë kriminelëve e milicisë fashiste.” – ka përfunduar ministri i MPB-së.

Ndërkaq, Lista Serbe ka akuzuar qeverinë e Kosovës për një “fushatë persekutimi kundër serbëve” në veri të vendit, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të ndërmarrë veprime ndaj kryeministrit Kurti, që ata e akuzojnë se “po provokon luftë”.

“Duke zbatuar planin e tyre djallëzor sipas të cilit gjysma e serbëve duhet të dëbohen në Serbinë qendrore dhe gjysma në kazamatët e Kosovës, regjimi antiserb Albin Kurti vazhdon me persekutimin e serbëve në veri të Kosovës dhe Metohi para syve të mbarë ndërkombëtarëve. komuniteti, misioni më i madh ushtarak në Evropë Kfor dhe misioni më i madh i BE-së në Evropë – EULEX”, - thuhet në reagim.

Në reagimin e tyre, ata u kanë bërë thirrje për ndërkombëtarët të ndërhyjnë dhe të ndalin atë që ata e quajnë "persekutim" të serbëve në Kosovë. Ata kanë paralajmëruar se nëse kjo vazhdon, popullata serbe do të jetë e detyruar të reagojë dhe të mbrohet, duke krijuar një situatë jo të dëshiruar për të gjithë rajonin.

“Ky është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë drejtpërdrejt dhe ta pengojë Kurtin të provokojë luftë, sepse me lëvizjet e tij ai do të detyrojë të gjithë popullin serb të mbrohet nga kryengritja e Prishtinës dhe atëherë do të ishte një rrugë pa kthim. Asnjë njeri normal nuk dëshiron, sepse do të ishte fatale për të gjithë në këtë zonë”, - thuhet në fund të reagimit.

Sipas njoftimit të PK-së, i arrestuari D.B është i lindur në vitin 1988 dhe dyshohet për sulm ndaj gazetarëve me datën 31.05.2023 në Zveçan.

“Policia e Kosovës, është duke trajtuar me prioritet rastet e dhunës së shënuar kohëve të fundit në veri të vendit, kështu pas hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar: D.S., mashkull serb, viti i lindjes 1988, i cili më 31.05.2023, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve në Zveçan.” – thuhet në njoftim.

Tutje Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i njëjti është arrestuar sot në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacionin policor.

“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Policia e Kosovës, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja ligjore dhe kushtetuese, për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin.” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Lajme të ngjashme