Arrestohen sulmuesit e gazetarit Valon Syla - NACIONALE

Arrestohen sulmuesit e gazetarit Valon Syla

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka risi në rastin e sulmit fizik ndaj Valon Sylës, gazetar dhe analist i njohur, i cili u sulmua nga ana e tre personave. Lajmin e madh e dha vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili shkroi se të dyshuarit tashmë janë arrestuar.

"Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla. Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit." - shkroi Sveçla.

Flutra Kusarit, juriste e njohur, tre të dyshuarit për sulm, të cilët u identifikuan nga Policia e Kosovës, tashmë janë arrestuar. Sipas Kusarit, prokurori duhet t’i akuzojë të njëjtit për lëndim të rëndë trupor.

“Qenken arrestu personat qe dyshohen qe e kane sulmu gazetarin Valon Syla. Prokurori duhet me i akuzu per lendim te rende trupor e jo lendim te lehte trupor dhe gjykata duhet me iu shqiptu denim maksimal.” – shkroi zonja Kusari.

Reagimet...

Ndryshe, për sulmin ka pasur shumë reagime nga krerët e institucionëve të Kosovës, analistë e figura publike. Që në mbrëmje, pak minuta pas sulmit, reagoi Glauk Konjfuca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike. Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm. Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare. Kërkohet që organet kompetente të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t'i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë! Solidarizohemi me Valonin dhe i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë" - shkroi Konjufca.

E në mëngjes, reagoi edhe kryeministri Kurti, i cili në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, foli për rastin, duke e dënuar sulmin ndaj gazetarit të njohur.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës.” – ka thënë Kurti.

Ndryshe, Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, nuk ka shkruar e as folur ndonjë gjë rreth sulmit ndaj Sylës, andaj reagimi i saj është reagim i munguar. Pra edhe pas gati 20 orëve nga sulmi brutal ndaj gazetari Syla, Osmani nuk ka gjetur ende kohë për të shkruar ca fjalë dënuese për këtë sulm, që u llogarit si sulm ndaj fjalës së lirë.

Përveç presidentes Vjosa Osmani, është edhe një njeri tjetër i rëndësishëm në Kosovës që ka zgjedhur të hesht në lidhje me sulmin ndaj gazetarit dhe analistit, Valon Syla. Naim Tërnava, myfti i Kosovës, ende s’ka folur rreth sulmit ndaj Sylës.

Reagimin e myftiut Tërnava e ka kërkuar edhe Adriatik Kelmendi, gazetar i njohur e drejtor i "Klan Kosovës".

"Shumë mirë që reagimet për Valon Sylën ishin të shpejta, të shumta dhe nga të gjitha nivelet e shoqërisë. Por një reagim - ai kryesori - do të duhej të vinte nga Bashkësia Islame e Kosovës. Nëse BIK-u nuk reagon, a i bie se pajtohet me sulmuesit? Nëse pajtohet me sulmuesit, a i bie se inkurajon edhe të tjerët për t’i sulmuar fizikisht ata me të cilët në ndonjë formë nuk pajtohet? Feja Islame është paqe, ashtu siç pretendojnë për veten thuajse edhe të gjitha fetë e tjera." - shkroi Kelmendi.

Lajme të ngjashme