Zero fjalë edhe pas 18 orëve: Heshtja e çuditshme e Vjosa Osmanit për rrahjen e Valon Sylës
Që nga dje në orët e vona të mbrëmjes, Valon Syla, gazetar dhe analist, është në qendër të vëmendjes. Më saktësisht, sulmi fizik që u ushtrua ndaj Sylës nga tre persona, të cilët tashmë janë idenftikuar, është kryetema e 12 prillit. Shumë reagime, përfshirë të kryeministrit Albin Kurti, ka pasur gjatë ditës, megjithatë një reagim ende nuk ka ardhur.
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, nuk ka shkruar e as folur ndonjë gjë rreth sulmit ndaj Sylës, andaj reagimi i saj është reagim i munguar. Pra edhe pas 18 orëve nga sulmi brutal ndaj gazetari Syla, Osmani nuk ka gjetur ende kohë për të shkruar ca fjalë dënuese për këtë sulm, që u llogarit si sulm ndaj fjalës së lirë.
Ndryshe, Syla ka qenë vazhdimisht kritik ndaj Osmanit dhe figurës së saj politike. Nuk dihet arsyeja se pse nuk ka reaguar ende Osmani, e cila këto ditë po qëndron në Itali.
Atje, pra në Itali, Osmani ka takuar shumë arbreshë në regjionin e Kalabrisë.
“Jemi të bindur se mund të ndiqen politika aktive për respektimin e gjuhëve të pakicave, për të mbrojtur dhe përmirësuar gjuhën dhe trashëgimin kulturore të pakicave gjuhësore dhe historike të Kalabrisë, përfshirë bashkësinë arbëreshe. Përmirësimi i mëtejmë i politikave për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e të traditave është e ndërlidhur me politikat e shkollimit në gjuhën e pakicave.” – deklaroi Osmani, siç njoftoi Presidenca e Kosovës.
Reagimet…
Ndryshe, sulmin ndaj Sylës e kanë dënuar dy krerët e tjerë institucional. Që në mbrëmje, pak minuta pas sulmit, reagoi Glauk Konjfuca, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike. Ata kanë të drejtën e garantuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë për të kryer detyrën e tyre profesionale pa frikë dhe pa ndonjë censure apo presion të jashtëm. Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare. Kërkohet që organet kompetente të ndërmarrin hapat e nevojshëm për t'i sjellë autorët e sulmit para drejtësisë! Solidarizohemi me Valonin dhe i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë.” – shkroi ai.
E në mëngjes, reagoi edhe kryeministri Kurti, i cili në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës, foli për rastin, duke e dënuar sulmin ndaj gazetarit të njohur.
“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës.” – ka thënë Kurti.
Tashmë Policia e Kosovës i ka identifikuar sulmuesit. Përmes një postimi në profilin e tij, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, shkroi se sulmuesit e dyshuar shpejt pritet të dalin para drejtësisë.
“Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë. Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme.” – shkroi z. Sveçla.
Për sulmin fizik ndaj Sylës ka reaguar edhe partia Guxo, listë që dikur e kishte themeluar e drejtuar vetë zonja Osmani, duke e dënuar në "terma më të ashpër" ngjarjen.
