Arrestohen pesë serbë në Graçanicë për “cënim të vullnetit të lirë të votuesve,” pas deklarimeve të Nenad Rashiqit
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar pesë persona të nacionalitetit serb për cenim të vullnetit të lirë të votuesve në komunën e Graçanicës.
Veprimet hetimore nisën pas deklaratave publike të Ministrit Nenad Rashiq për kërcënimin e votuesve në këtë komunë.
Të pesët dyshohen për veprën penale "Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve", sipas nenit 210 të Kodit Penal të Kosovës.
Prokuroria njoftoi se janë siguruar "deklarata dhe prova të mjaftueshme" që lidhin të ndaluarit me veprimet e kundërligjshme, duke theksuar përkushtimin e saj në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.