Arrestimi i “Ridit” dhe zyrtarëve të MINT, Hajdari kapet me prokurorinë: 26 lëndë qe dy vjet e gjysmë s'i keni trajtuar
Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë u arrestuan nga Policia e Kosovës bashkërisht me personin mbase më të famshëm kohëve të fundit, Ridvan Muharremin, të njohur si njeri i afërt i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ndonëse person krejtësisht privat, i besohen edhe “sekretet shtetërore”, e çkah mos tjetër, për të cilat ka raportuar gjerësisht Nacionale. “Ridi” i Kurtit sot u prangos nga policia bashkë me dy zyrtarët e MINT nën dyshime për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Hajdari me të marrë fjalën, ndonëse nervozizmi i ishte vizatuar në ballë e në çehre, provoi të godasë Prokurorinë, ku fillimisht në emër të përvetshëm përmendi prokurin Valdet Gashi, si urdhërrues të arrestimit dhe bastisjeve, e ku më pastaj tha se i kanë 26 lëndë të dërguara në prokurori që kur ka marrë atë post ministror, e që sipas saj, prokuroria s’i ka trajtuar. Kjo për t’ia kundërvënë aksionit të sotëm.
“Që nga fillimi i mandatit tim, ne kemi dorëzuar 26 lëndë në Prokurorinë e Themelore, në Policinë e Kosovës dhe në Gjykatën e Kosovës; dhe deri më tani asnjëherë nuk jemi njoftuar nga ana e tyre për ndërmarrjen e ndonjë veprimi. Ftojmë këto organe të fillojnë të trajtojnë këto lëndë të dërguara nga MINT; dhe veçse kam pritur që do të fillonin nga këto raste sepse janë dy vite e më shumë. E kam edhe listën. Këto janë që kanë ndodhë në MINT”.
“Unë do të ndaj me ju edhe listën e 26 rasteve që janë inicuar për dy vite e gjysmë në prokuri për hetime në këtë ministri”.
E lexonte të shkruar atë që kishte për të thënë dhe nëse pyetej për ndonjë gjë nga gazetarët i kthehej po asaj flete të shkruar se mos devijonte nga konturat strikte të asaj, e që më së shumti, ishin një grumbull ligjesh të cilat i kishte si arsenal mbrojtës ndaj çështjes në fjalë – aferës së vajit dhe grurit.
Tha se s’ka asgjë përtej ligjit, tha se dy zyrtarët janë të pafajshëm, tha se vet është e pafajshme – por, Prokurorisë i kërkoi të hetojë “motivet dhe arsyet” e mediave që kanë raportuar për këtë temë të interesit publik – ku 300 mijë euro janë dhënë nga buxheti shtetëror për mall që s’ka ardhur kurrë – vaj – nga një kompani polake e cila as që merret me tregti vaji.
Hajdari provoi t’i shmangej, siç thoshte ajo, “klasifikimit” të mallit që s’kishte ardhur, që ajo e quante vonesë prej 3%. “Nuk mund të tregoj a vaji, a gruri...s’më lejon Neni 9 të përmend as miell, as sheqer as vaj...Ligji për Rezerva Shtetërore nuk më lejon të përmend klasfikimin...llojin, sasinë, vendnodhjen”.
“Ju lutem më rezerzvoni”.
Hajdari e pranoi në mënyrë implicite, por jo haptazi, se është saktësisht vaji malli që s'ka ardhur, por e kamufloi përmes fjalëve "3 përqind vonesë" të blerjeve të Rezervave Shtetërore nga viti 2022; nga 10 milionë eurot sa ishin ndarë për Rezerva Shtetëtërore gjatë vitit të kaluar.
Pyetur specifikisht për Ridvan Muharremin, ajo tha se ai “s’ka të bëjë asgjë” me çështjen e blerjes së vajit, ndonëse tashmë edhe në audioregjistrimin e publikuara nga Nacionalja, por edhe njerëz të afërm të tij, e dinë dhe kanë treguar se ishte skatësisht “Ridi dallaverxhia” ai i cili kishte negocuar blerjen e vajit polak.
“Unë s’kam asnjë informacion që personi në fjalë është në ndonjë kontraktim të kontratave për rezerva shtetërore. Unë vetë si ministre i kam nënshrkuar kontratat për rezervat shtetëore që janë si sekret. Përndryshe ministria ka nënshkruar shumë operator, por jo vetëm një”, ka thënë Hajdari.