Arkiva e shtetit shqiptar posedon 36 arka me qindra dosje të pushtetit komunist për Kosovën
Nacionale gjatë orëve të pasdites raportoi për një video që e kishte publikuar gazetari shqiptar Blendi Fevziu në profilin e tij zyrtar të rrjetit social "Facebook".
Aty ai bëri të ditur se shumë shpejtë në emisionin që e drejton vet tash e prej 26 vitesh, do të publikojë një dosje për Ibrahim Rugovën, e që i përkiste pushtetit komunist.
"E rrallë. Së shpejti në Opinion. Në Arkivat e Sigurimit të Shtetit gjendet dosja se si për 20 vjet Sigurimi i Shtetit Komunist përgjoi Ibrahim Rugovën në Kosovë dhe në dy vizitat në Shqipëri", shkroi ndër tjerash Fevziu.
Nacionale në anën tjetër ka siguruar edhe dy video të tjera nga brenda arkivës shtetërore.
Siç edhe mund ta dëgjoni Fevziun, janë gjithsej 36 arka, me secilën që posedon dhjetëra dosje për Kosovën.
Mësohet se shumica e këtyre dosjeve ka të bëjë me përgjimin e intelektualëve kosovarë ose të dhëna për këta të fundit.
Çështja e sigurimit të shtetit u rikthye së fundi në Shqipëri, me debatin rreth asaj nëse pjesë e këtij sigurimi ishte edhe ish-presidenti Ilir Meta.
Autoriteti i Dosjeve e përmend atë me emër dhe mbiemër në dokumentin që ia drejtoi Kuvendit, ku ia kërkoi gjithashtu të ndryshojë ligjin, pasi sipas tij nuk mund të verifikohen figurat politike të verifikuara një herë nga komisioni Mezini e Bezhani.
Meta si politikan i hershëm, ka certifikatë pastërtie, por nëse do të verifikohej prapë, thuhet në dokumentin drejtuar kuvendit, rezultati do të ishte ndryshe.
Vetë ish-presidenti e quajti këtë një lojë të motivuar politikisht.
Ditë më parë ndërkaq, Petrit Vasili, i ftuar i Fevziut, i konsideroi inskenime pretendimet se politikani i lartë me iniciale I.M. në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit është Ilir Meta.
Vasili nxorri në studio edhe skedën e një bashkëpunëtori të ish-Sigurimit të Shtetit.

