AQP e shpërblen me kontratë njëburimore kompaninë që kërkoi ta fuste në listën e zezë
Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Botek sh.p.k”. Mirëpo, para disa muajve AQP-ja kishte kërkuar nga Organi Shqyrtuesi i Prokurimit (OSHP) që ta fuste në listën e zezë këtë kompani. Ndërkohë, kontrata e re mes tyre kap vlerën e 270 mijë eurove. Cili është arsyetimi i AQP-së?
Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka kërkuar nga Autoriteti Qendror i Prokurimit që të negociojë për kontratë të re për mirëmbajtjen e sistemit softuerik SPECTRA.
Kësisoj, AQP-ja ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Botek” ndaj të cilës kishte bërë kërkesë për futjen në listë të zezë të operatorëve për shkak të shkeljes së marrëveshjes.
“Mirëmbajtjen e sistemit softuerik SPECTRA për menaxhimin e spektrit frekuencore në kohëzgjatje prej 36 muajve.” – është tenderi i ri që e ka fituar operatori ekonomik “Botetk”.

Kontrata është nënshkruar duke ndjekur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Vlera e parashikuar e kontratës është 273 mijë euro, ndërsa pas negociatave, kontrata është nënshkruar për 3 mijë euro më pak.
Pse tenderi është negociuar?
Autoriteti Qendror i Prokurimit ka arsyetuar përdorimin e procedurës së negociuar në këtë rast. Por duket se nuk e ka pasur parasysh se Botek është kompani që ka të drejta për mirëmbajtjen e spektrit frekuencor atëherë kur kishte kërkuar që ta fuste në listën e zezë të OSHP-së.
Sipas AQP-së, kompania “Botek” mban të drejtën autoriale për ndryshimin e softuerit për spektrin frekuencor.
"Përdorimi i Procedurës së negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës është bërë në bazë të nenit 35 të LPP pikës 2 paragrafit 2.1 (ii), me arsyetimin si më poshtë: “Ju informojmë se sipas kontratës baze te nënshkruar për furnizim ne vitin 2008 O.E zhvillues I softuerit i ka ne posedim kodet burimore, sipas kontratës ne fjalë i njëjti mban te drejtën autoriale për avancimin, plotësim, ndryshimin dhe mirëmbajtjen e nevojshme të Softuerin për Menaxhimin e Spektrit Frekuencor. Të zhvilloni aktivitetin e prokurimit përmes procedurës se negociuar për “Mirëmbajtjen e sistemit softuerik SPECTRA për menaxhimin e spektrit frekuencore” me O.E Botek shpk i cili është përfaqësues i autorizuar i imlementuesit te ketij projekti LS telekom.”

“Ju njoftoj se LStelekom përmes përfaqësuesit te autorizuar Botek shpk ne vitin 2008 e ka zhvilluar Softuerin për Menaxhimin e Spektrit Frekuencor. Kompania ne fjale e mban te drejtën autoriale për avancimin, plotësim, ndryshimin dhe mirëmbajtjen e nevojshme te Softuerin për Menaxhimin e Spektrit Frekuencor.” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Pse AQP kishte kërkuar të futet në listën e zezë “Botek”?
AQP është pyetur nga Nacionale se pse ka ftuar për tenderë kompaniën “Botek” ndaj të cilës ka kërkuar që të futet në listën e zezë.
AQP-ja kishte bërë kërkesë që “Botek” të futet në listën e zezë për shkak të mashtrimit me tenderin “Furnizim me tablet për nevojat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës” – të cilin e kishte fituar kjo kompanië.
“Gjatë implementimit të kontratës nga ana e menaxherit të kontratës kemi pranuar rekomandimin për ndërprerje të kontratës pasi që kontraktuesi ka dështuar të përmbush kontratën sipas kushteve të saj, përkatësisht ka dështuar te përmbush nenin 18.2 të kushteve të veçanta të kontratës – Cilësia e furnizimeve. Kontraktuesi me ofertën e tij ka dorëzuar katalogun për pajisjen e ofruar në të cilin katalog Sistemi operativ ka qenë Android 12, kurse tek Autoriteti kontraktues ka dorëzuar pajisje me Android 10, te cilat nuk janë pranuar nga AK. Edhe pas afateve shtesë që i janë jap kontraktuesit, ai ka dështuar te bej liferimin e pajisjeve me Android 12.” – ka thënë AQP për Nacionalen.
Sipas AQP-së këto veprime të operatorit “Botek” janë konsideruar mashtrim në prokurim publik.
“Këto veprime të kontraktuesit janë konsideruar si mashtrim në prokurim publik dhe me datë 09.10.2023 AQP ka parashtruar kërkesë në OSHP për zbatimin e nenit 99.2 të Ligji Nr. 04/L-042 PËR PROKURIMIN PUBLIK TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, I ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, citojmë: “99.2.Në bazë të një kërkese me shkrim nga autoriteti kontraktues në lidhje me paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, OSHP është e obliguar dhe ka autoritetin që të shqyrtojë dhe të diskualifikojë operatorin ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një (1) vjeçare.””
“Me datë 28.02.2024 OSHP ka Refuzuar si të pa bazuar këtë kërkesë të AQP, duke konsideruar se AQP nuk ka ofruar ndonjë dëshmi apo provë për paraqitje të dokumenteve të rreme apo të falsifikuara nga OE Botek sh.p.k.” – ka thënë nga AQP-ja.