Anti-Korrupsioni nis hetimet ndaj Ramqajt pasi u pyet nga Nacionalja për nisjen e hetimeve - NACIONALE

Anti-Korrupsioni nis hetimet ndaj Ramqajt pasi u pyet nga Nacionalja për nisjen e hetimeve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Agjencia Kundër Korrupsionit tashmë ka nisur hetimet ndaj Florent Ramqajt për konflikt interesi.

Skandali në Ministrinë e Infrastrukturës ka tronditur Kosovën tash e një javë, që nga publikimi i tij në gazetën Nacionale më 1 qershor. Por, a ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për shmangien e konfliktit të interesit – i evidentuar pas përgjimeve - autoriteti që ka kompetencën për një gjë të tillë?

Çështja e ryshfetit/haraçit të përgjuar është tashmë nën hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Megjithatë, Nacionale ka zbuluar edhe konfliktin e interesit në rastin e këshilltarit financiar të ministrit Liburn Aliu, që mban emrin Florent Ramqaj.

Ky i fundit, megjithëse kishte marrëdhënie familjare me Halil Jahajn, pronarin e kompanive Infratek (në të cilën zyrtarisht pronare është gruaje e tij) dhe Alfa-I, ishte pranuar në punë si këshilltar financiar.

Kompanitë në fjalë kishin bashkëpunuar me Ministrinë e Infrastrukturës, çka ngriste dyshime të bazuara mbi mundësinë e interferimit me motive personale nga këshilltari në fjalë.

Në një tjetër dokument të prezantuar nga gazetari i Nacionales, Berat Buzhala, tregohej se si një tender i dhënë nga Qeveria Hoti në Ministrinë e Infrastrukturës ishte anuluar gjatë Qeverisë Kurti II dhe në të cilin kompania Alfa-I kishte humbur.

U desh një pyetje që të niste një procedurë

Të pyetur nga Gazeta Nacionale nëse kishin ndërmarrë veprimet e duhura, nga Agjencia Kundër Korrupsionit kanë dhënë një përgjigje paksa të çuditshme:

‘’Agjencia kundër Korrupsionit ka pranuar informatën nga ana juaj dhe do ta trajtoj brenda kompetencave ligjore të AKK-së,”

Megjithëse është për t’u përshëndetur nisja e procedurave për të adresuar çështjen, është e pakuptueshme se si është pritur deri në pyetjet e Nacionales për t’u marrë informata që ishte publike dhe e qasshme për më shumë se një javë.

Në anën tjetër, në Kallxo Përnime, drejtori i AKK-së e ka konfirmuar një lajm të tillë duke e pranuar se është kontaktuar nga gazeta Nacionale.

Ne sot kemi fillu procedurat për pretendimet e tilla, e kemi pasë një medium që na ka kontaktuar më herët, ndoshta dje dhe ne kemi filluar menjëherë ta shqyrtojmë për elementet të cilat mund t’i trajtojmë ne,

Kujtojmë se deri më tash nuk ka pasur asnjë deklaratë nga subjekti i përgjimeve që dëgjohet derisa kërkon ryshfet, Idriz Shala dhe në anën tjetër as nga Halil Jahaj që është pronari i kompanisë në fjalë.

Florent Ramqaj ka mohuar akuzat por pa u marrë specifikisht me asnjërën prej tyre.

Në anën tjetër, ministri Liburn Aliu nuk e ka mohuar se Florent Ramqaj ka lidhje familjare me Halil Jahajn, e në anën tjetër nuk e ka mohuar as se ka punuar në njërën prej kompanive të tij.

Lajme të ngjashme