“Anashkalon ligjet”: "Projekti më i madh" i Kurtit pritet të përballet me Gjykatën Kushtetuese - NACIONALE

“Anashkalon ligjet”: "Projekti më i madh" i Kurtit pritet të përballet me Gjykatën Kushtetuese

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdën e “fushatës për progresin ekonomik”, në një postim në Facebook së fundmi është lavdëruar së tepërmi me nisëmen për të krijuar Fondin Sovran, i cili aktualisht është në konsultim publik. Kurti e ka konsideruar këtë nismë si "Projekti më i madh ekonomik ndonjëherë". Kritikë ndaj Fondit Sovran janë shfaqur LDK-ja, të cilët paralajmëruan ditës më parë se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, ka bërë disa hapa në realizimin e këtij premtimi. Projektligji ka kaluar konsultimet publike dhe pritet që të miratohet shumë shpejt.

Kurti ka deklaruar se Fondi Sovran do të përfshijë ndërmarrjet publike dhe 24 mijë asete të tjera. Ai beson se kjo nismë do të ndihmojë në rritjen e investimeve dhe përmirësimin e menaxhimit të tyre.

“Ndërmarrjet tona publike, të cilat nuk operojnë më me humbje si në të kaluarën, së bashku me 24 mijë asete tjera do barten nga qeveria në Fond, që do të rrisë mundësinë e investimeve dhe përmirësojë edhe më shumë menaxhimin e tyre. Kjo e bën qeverinë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur, duke na vendosur në hartën e tregjeve botërore financiare”, - tha Kurti.

Ai theksoi se trendi i formimit të fondeve sovrane ka qenë në rritje në fillim të viteve 2000 dhe se Kosova po i bashkohet këtij trendi global.

“170 shtete të botës, nga gjithsej rreth 200 sa janë gjithsej, kanë fonde sovrane. Trendi më i lartë i formimit të fondeve sovrane është shënuar në fillim të viteve 2000. Dy dekada pas, Kosova do të jetë pjesë e shumicës së botës dhe e trendit global”, – tha Kurti.

LDK paralajmëron dërgimin e Projektligjit në Kushtetuese

Partia e dytë opozitare është shprehur e shqetësuar lidhur me Projektligjin për Fondin Sovran. Sipas tyre,, ky Projektligj shkel ligjet dhe kushtetutën e vendit. Deputeti i kësaj partie dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një reagim të bërë ditë më parë në Facebook, ka hedhur akuza të ashpra ndaj qeverisë aktuale për projektligjin e Fondit Sovran, duke e quajtur një hap konkret drejt vendosjes së ekonomisë së komanduar.

" Projektligji per themelimin e Fondit Sovran paraqet hap konkret drejt vendosjes të ekonomisë së komanduar, i cili sistem ka dështuar.” Ai vazhdoi me enumerimin e disa vendimeve që sipas tij karakterizojnë sistemin komunist, duke përfshirë uljen e pagave, ligjin për çmimet maksimale, caktimin e marzhave të fitimit, tendencën për shtetëzim të Odës Ekonomike, dhe marrjen e të hyrave vetanake të komunave.

Kritike e ashpër ndaj Projekligjit është shfaqur deputetja Bajrami e cila tha se kjo iniciativë tendencë e qartë për “të kapur çdo gjë”.

“Sot e lexova Projektligjin për Fondin Sovran që është në konsultim publik. Kam shumë vërejtje, shumë pyetje, shumë komente por mbi të gjitha me vjen sinqerisht keq për mëndësinë qeverisëse të LVV-së dhe dëmet që po ia bëjnë vendit. Tentativa me kapë çdo gjë, me shpërfillë çdo procedurë, çdo ligj, për më tepër me ligj me tejkalu edhe Kushtetutën, këtë vetëm qeveria e LVV-së e bën,” – tha ajo,

Bajrami theksoi nevojën që Projektligji për Fondin Sovran të përfshijë të gjitha nevojat dhe kërkesat ligjore që janë të nevojshme për të siguruar transparencën dhe integritetin e Fondit.

Bajrami më tej paralajmëroi se nëse ky Projektligj do të bëhet me këto karakteristika antikushtetuese, ai do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, si shumë ligje të tjera, dhe se nuk duhet të lejohet një gjë e tillë të ndodhë në Kosovë.

"E ja ku po them publikisht, që gjëra të tilla nuk do të lejohen. Nëse ky Projektligj bëhet Ligj kështu siç është do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese si shumë të tjerë, sepse ‘prima facia’ ky Ligj është antikushtetues." - ka thënë ajo.

Lajme të ngjashme