Analisti i huaj: BE-ja dhe ShBA-ja po e përgatitin terrenin për ta fajësuar Kurtin, nëse dialogu dështon - NACIONALE

Analisti i huaj: BE-ja dhe ShBA-ja po e përgatitin terrenin për ta fajësuar Kurtin, nëse dialogu dështon

1 vit më parë

nga NACIONALE

Analisti i çështjeve të jashtme që jeton në Bruksel, Toby Vogel, ka thënë se komentet e emisarëve të BE-së dhe të ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi bëjnë të qartë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë duke e përgatitur terrenin për ta fajësuar Kurtin nëse dialogu dështon ose kur dialogu të dështojë.

Ai e bëri këtë koment, pasi shpërndau në rrjete sociale një koment të një analisti tjetër, Jakub Bielamowicz, i cili shkroi: I dërguari i Departamentit të Shtetit rrezikon që ta anashkalojë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës, nëse kryeministri Albin Kurti refuzon që ta krijojë “Asociacionin e Komunave Serbe”, të ngjashëm me Republikën Serbe. E tmerrshme të shihet se sa shumë po i shtyjnë ShBA-ja dhe BE-ja Kosovën dhe rajonin drejt një jostabiliteti afatgjatë.”

Në komentin e tij, analisti polak e bashkëngjiti një lajm ku njoftohet se emisari amerikan, Gabriel Escobar, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare kërkon që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”- ka thënë, mes tjerash, emisari amerikan në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Ndërkohë i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha të premten në Prishtinë se ka pritur më shumë mirëkuptim për mundësitë që i ofron propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme