Analist Bleron Baraliu me një grumbull familjarësh në Ministri të Jashtme, Gërvalla ia "fal" dhëndrin - NACIONALE

Analist Bleron Baraliu me një grumbull familjarësh në Ministri të Jashtme, Gërvalla ia "fal" dhëndrin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Analistët politikë në Kosovë jemi mësuar t’i shohim të lidhur me partitë politike ose liderët politikë. Megjithatë, rasti i Bleron Baraliut del të jetë i ndryshëm. Ai duket të jetë i lidhur me një Ministri, nëse marrim për bazë familjarët që i punojnë aty. Por, njëri prej këtyre familjarëve të Baraliut ka pasur edhe rast problematik.

Bleron Baraliu u bë i famshëm gjatë tri viteve të fundit për opinionin publik në Kosovë përmes lidhjeve të tij me studiot televizive përmes Skype-it. Prishte rrjedhën e debatit. Na shkonte nerva. Na bezdiste. Por, s’kishim ku ta çonim. Për koicidencë, gjatë këtyre tri viteve partia në pushtet e quajtur Vetëvendosje po merrte mbështetje shumë të fortë qytetare.

Mes këtyre mbështetësve do të ishte edhe Bleron Baraliu. Me raste, ai do të tregohej jo aq i sigurt në mbështetjen e tij për Kurtin dhe VV-në por në mënyrë të çuditshme do të shprehte antipati ndaj një partie specifikisht: LDK-së.

Familjarët në MPJD

Megjithatë, njohjet e tij me jetën institucionale të vendit duket se janë shumë të thella. Nacionale ka mësuar me anë të burimeve se analisti Baraliu i ka dy motra të punësuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Bëhet fjalë për Vlora Baraliun dhe Aroma Baraliun. E përpos tyre, ai e ka të punësuar në këtë ministri edhe dhëndërin, Imer Lladrovcin, dhe të paktën një të afërme tjetër.

Nacionale e pyeti analist Baraliun për një gjë të tillë, përgjigja zyrtare e të cilit ishte: “Mendova se po më pyesni a i ke pasë motrat në UÇK (edhe vëllain), të gjithë nën 24 vjeç deri 17, bashkë me të fejuarit e tyre.”

A-ha.

Nuk dihet nëse familjarët e z. Baraliu mund t’i kenë ‘errësuar’ gjykimin politik, e nuk dihet as nëse është ndjerë në siklet me fjalët e kryeministrit Kurti në prillin e vitit 2021 që thonin: “Fisi është për dasma. S’ka dasma nëpër ministria.”

Dhëndri

Së fundi është raportuar një rast mjaft interesant po në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. I përfshirë në rolin e kryeprotagonistit ishte dhëndëri i Bleron Baraliut, Imer Lladrovci.

Ministrja Donika Gërvalla Schwarz e kishte përjashtuar Lladrovcin nën akuzën se kishte keqpërdorur fondet e shtetit të Gjermanisë që ishin dedikuar për mësimdhënësit e gjuhës tonë amtare.

Sipas burimeve të KOHËS, Imer Lladrovci në cilësinë e shefit të Konsullatës së Kosovës në Shtutgart dyshohej për tërheqjen e paautorizuar të hiç më pak se 20 mijë eurove.

Portali në fjalë raportonte se ndaj dhëndërit të Bleron Baraliut kishte pasur ankesa nga disa shoqata, e të cilat i kishin nisur edhe notë proteste Qeverisë së Kosovës.

Por, Gërvalla ishte tërhequr nga vendimi i saj për Imer Lladrovcin. Ky i fundit ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës dhe kur ministres iu kërkuan sqarime ajo kishte shfuqizuar vendimin për përjashtim nga puna të dhëndërit të Bleron Baraliut. Arsyet nuk dihen.

Mirëpo, dikush megjithatë nuk po lëshon pe.

“Pavarësisht se Gërvalla ishte tërhequr nga vendimi, betejën ligjore me Lladrovcin është duke e vazhduar ambasadori që e kishte denoncuar keqpërdorimin, Faruk Ajeti. Ai e ka rihapur rastin në Komision Disiplinor, i cili ka konstatuar sikur herën e parë se Lladrovci ka bërë shkelje të rëndë.”shkruhet në këtë raportim.

Epilogu i këtij rasti nuk dihet, por analist Baraliu nuk besohet të mos jetë i interesuar marrë parasysh afërsinë e tij familjare.

Bleron Baraliu përveç analist i politikës ditore në Kosovë, është edhe anëtar i Bordit të Shoqatës së Matematikanëve dhe anëtar i Bordit të Institutit Atomi. Deri tash ai ka dhënë dorëheqje dy-tri herë si analist në rrjetin social Facebook por është rikthyer po dy-tri herë.

Lajme të ngjashme