"Analfabetë-kriminelë-servilë": Pse heshtja e Presidentes Osmani për rastin Syla mund ta dëmtojë rëndë? - NACIONALE

"Analfabetë-kriminelë-servilë": Pse heshtja e Presidentes Osmani për rastin Syla mund ta dëmtojë rëndë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdon heshtjen e saj për rastin tmerrues të rrahjes së gazetarit Valon Syla. Por, kjo heshtje ka domethënie të madhe politike që mund ta dëmtojë rëndë reputacionin e saj.

Në emisionin e mbrëmshëm Pressing, gazetari Valon Syla u shpreh se shpresonte që Presidentja të reagonte jo për shkak se ishte sulmuar ai por për shkak se një reagim i tillë i duhej vendit që t’i dilej kundër këtyre rasteve.

“Ajo është edhe presidentja ime,” – tha z. Syla mes tjerash.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, edhe në këtë moment e bëri një status ku u shpreh:

“Hala kam shpresë që reagon Presidentja kundër dhunës.”

Domethënia politike

Heshtja e Presidentes Osmani bëhet veçanërisht e rëndë pasi rasti u dënua edhe nga kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca gjatë ditës së djeshme.

Dhuna nuk ka vend në mesin tonë pavarësisht mospajtimeve që mund të kemi – ishte mesazhi që u dha me forcë të madhe gjatë ditës së djeshme.

Burri i Vjosa Osmanit, Prindon Sadriu, i kishte quajtur mediet “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” duke akuzuar pa prova edhe se ishin të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe.

Ai më pas e kishte fshirë statusin por duke i lënë një vragë të madhe institucionit të Presidencës.

Rast edhe më i rëndë se ai i Prindon Sadriut, është Shefi i stafit të Vjosa Osmanit që mban emrin Blerim Vela. Ai ka përdorur gjuhë skandaloze ndaj medieve në shumë raste, derisa së fundi – jo më larg se dy javë më parë – ai akuzoi disa medie edhe se po tentonin të bënin puç përmes një skenari të Serbisë.

Natyrisht, nëse një gjë e tillë do të ishte e vërtetë atëherë do të mund të kishim edhe dënime drastike. Por, e vërteta ishte se patëm një rritje të gjuhës urrejtëse ndaj medieve që rridhte nga zyra më e lartë e vendit.

Por, sulme të ashpra e brutale ndaj medieve kishte bërë edhe vetë znj. Osmani në të kaluarën. Një i tillë ishte edhe ai i datës 18 gusht 2016 ku i quante “analfabetë-kriminelë-servilë” për një raportim të caktuar.

Inat personal?

Gazetari Valon Syla e ka kritikuar rëndë presidenten e vendit vazhdimisht, më së shumti për inkonsistencë politike por edhe për dyshimet se i ishin punësuar familjarë të saj.

Së fundi, z. Syla e kishte quajtur Osmanin si “shefe (bashkë me Albin Kurtin” të një motoje “20 vjet asgjë” që nxiitej me “racizma kundër çlirimtarëve dhe Drenicës”.

Në një status tjetër, z. Syla i përmendte asaj tezaken që ishte emëruar në një agjencion në Ministrinë e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci.

“Ambasada britaneze (britanike) këtë tezaken e kish vlerësu me jokompetente dhe joprofesionale dhe s’i ka jepë poena. A i thojnë kësaj pune nepotizëm? A i thonë sjellje korruptive?” - shkruante z. Syla.

Nuk dihet nëse prapa këtij mos-reagimi qëndron inati personal i znj. Osmani me z. Syla apo më përgjithshëm mënyra se si ajo i sheh mediet kosovare.

Presidentja Osmani që ka hyrë në vitin e tretë të mandatit të saj, ka qenë e kritikuar nga parti opozitare dhe shoqëria civile se nuk ka qenë përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të vendit gjatë ushtrimit të detyrës. Një mos-reagim i tillë mund të bëhet një ilustrim edhe më i qartë dhe një shembull në argumentet se ajo nuk ka kryer detyrën jashtë inateve personale e politike.

Lajme të ngjashme