Amerikani në Kosovë: Çka mund të pritet nga vizita e emisarit Escobar? - NACIONALE

Amerikani në Kosovë: Çka mund të pritet nga vizita e emisarit Escobar?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguarin i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë. Vizita e tij mund të thuhet se vjen kur kanë mbetur edhe pak ditë nga skadimi i afatit për regjistrimin e veturave serbe me targa “RKS”, por për çka tjetër po bëhet kjo vizitë?

Escobar-i veçse e ka filluar takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe pastaj do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e partive opozitare.

Dialogu, moszbatimi i marrëveshjes për energji mes Kosovës dhe Serbisë dhe afati për largimin e targave ilegale dhe konvertimi i tyre në RKS mund të jenë disa nga temat që pritet të diskutohen mes Escobar-it dhe krerëve të shtetit.

Por çka pritet tjetër nga ardhja e Escobar-it në Kosovë?

Kjo vizitë, sipas Ismet Kryeziut nga Instituti i Kosovës për Demokraci, nuk po bëhet vetëm për dialogun Kosovë - Serbi.

Ai thotë se Escobar-i po e viziton Kosovën edhe për zbatimin e e interpretimit të gjykatës kushtetuese për manastirin e Deçanit dhe se zbatimi i këtij vendimi mund të jetë njëri nga kushtet e fshehura për liberalizimin e vizave.

Më tej, në shkrimin e publikuar në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka bërë thirrje ndaj udhëheqësve të vendit dhe partive politike që të marrin përgjegjësi për ta nxjerrë Kosovën nga “status quo-ja”.

Vizita e të dërguarit special të SHBA-së, besoj se nuk ka të bëjë vetëm me dialogun Kosovë-Serbi, por dhe me zbatimin e interpretimit të gjykatës kushtetuese për manastirin e Deçanit?! Përgjegjësia institucionale për zbatimin e vendimeve të gjykatës kushtetuese mund të jetë një nga kushtet e padeklaruara për liberalizimin e vizave. Moment i mirë politik për Kosovën për të ecur përpara me mbështetjen dhe angazhimin proaktiv të diplomacisë amerikane dhe vendeve mike në BE. Presidentja, Kryeministri dhe liderët e partive politike duhet të lirohen nga populizmat dhe të marrin përgjegjësinë për ta nxjerrur Kosovën nga status quo-ja e gjatë në rrafshin ndërkombëtar.” ka shkruar Kryeziu.

Ndërsa për analistin Tomorr Avdia, ardhja e Esobar-it në Prishtinë është një korrigjim i detyrave të cilat ua kishte dhënë krerëve të shtetit të Kosovës.

Ardhja e të dërguarit special amerikan, Escobar nesër në Kosovë është një kornizë e korrigjimit të atyre çfarë u ka dhënë për detyrë gjatë kësaj periudhe 3 javore. Duke përfshirë këtu, kryeministrin Kurti, presidenten Osmani dhe të gjithë përfaqësueseve të partive opozitare. Escobar do ketë në dispozicion orë të tëra për të biseduar me ta, e më pas do t’i listojë ato pikat të cilat kanë rënë dakord dhe për të cilat nuk kanë rënë dakord”, deklaroi Avdia në emisionin “Infonata” në Tëvë1.

Në anë tjetër, profesori universitar, Milazim Krasniqi, e ka ngritur çështjen e emisarëve specialë që janë angazhuar nga shtetet e ndryshme për dialogun Kosovë - Serbi.

Sipas Krasniqit, numri i lartë i tyre i angazhuar është shenjë e keqe për Kosovën.

Ai thotë se këta emisarë janë të njëjtë si konsujt që ishin kohë më parë, prandaj janë shenjë e keqe për Kosovën dhe për ata që marrin vesh dhe që e njohin historinë e Kosovës.

Escobar-i, në vizitën e tij të fundit në Kosovë, kishte thënë se ShBA-ja nuk është pjesë e dialogut, por vetëm e përkrah Bashkimin Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai kishte kërkuar që të zbatohen të gjitha marrëveshjet ekzistues të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa sa i takon Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Escobar-i pati deklaruar se Kosova duhet të bëjë propozime rreth kësaj çështjeje.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ekzistojnë disa kufizime kushtetuese se çka mund të zbatojnë. Qëndrimi ynë është që ajo duhet të bëjë propozime. Nëse nuk i pëlqen propozimi i Serbisë, atëherë ajo duhet ta ketë propozimin e vet. Ka modele evropiane për mbrojtje të minoriteteve që do të mund të zbatoheshin për Asociacionin dhe që do t’u ndihmonin palëve në rrugën përpara", kishte thënë ai.

Vizita e tij në Kosovë erdhi pas tensioneve që ishin bërë për shkak të vendimit të Qeverisë Kurti për vendosjen e masës së reciprocitetit për hyjre/dalje dhe për targat. Kësaj të fundit i skadon afati më 31 tetor.

Lajme të ngjashme