Ambasadorja gjermane në Serbi: Është për të ardhur keq që Lista Serbe bojkotoi zgjedhjet
Ambasadorja gjermane në Serbi, Anke Konrad, ka thënë se është për keqardhje qe Lista Serbe ka bojkotuar zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës të cilat u mbajtën më 23 prill.
Ajo ka thënë se serbët e larguar nga institucionet duhet të kthehen në to sa më shpejt dhe se Asociacioni do të zbatohet shpejt.
“Serbët e Kosovës, të cilët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, duhet të kthehen në to sa më shpejt të jetë e mundur. Ky, meqë ra fjala, është edhe një nga obligimet nga Marrëveshja e Brukselit, si dhe obligimi për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dhe po, Asociacioni tani duhet të zbatohet shpejt, ne jemi të vendosur për këtë.” – ka thënë ajo, raportojnë mediet serbe.
Më tej, ajo ka thënë se Asociacini është obligim kyç i Kosovës në dialog dhe duhet të krijohet pa vonesa, teksa ka kërkuar edhe nga Serbia që të zbatojë obligimet e saj.
Ndërkaq, ajo ka kërkuar që ta zbatohet marrëveshja e Ohrit që doli nga plani franko-gjerman.
“Të dyja palët do të përfitojnë konkretisht nga zbatimi i marrëveshjes, sepse tensionet aktuale janë helm për të ardhmen e njerëzve, për investimet ekonomike dhe vendet e punës dhe pa normalizimin e marrëdhënieve nuk do të ketë anëtarësim në BE.” – ka theksuar ajo.
