Ambasadori Berishaj i kishte dërguar Osmanit kërkesë me 24 gabime drejtshkrimore, gabime bëri edhe ajo - NACIONALE

Ambasadori Berishaj i kishte dërguar Osmanit kërkesë me 24 gabime drejtshkrimore, gabime bëri edhe ajo

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 7 janar 2021, tashmë ambasadori Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i kishte dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, një kërkesë për dhënien e shtetësisë së Republikës së Kosovës, sipas dokumentit të publikuar nga portali “Demokracia” e të nënshkruar nga Berishaj.

Në këtë kërkesë vërehet qartazi se Berishaj, tashmë ambasador, që në dokument e ka përshkruar veten si profesor me përvojë të gjatë, ka probleme serioze me drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Ai ka bërë 24 gabime drejtshkrimore në kërkesën që nuk është më e gjatë se një faqe e formatit “A4”.

T’i identifikojmë dhe t’i shpjegojmë të gjitha gabimet, ngadalë, pa u ngutur.

Në rreshtin e parë të kërkesës, Berishaj e përdor gabimisht, aty ku nuk duhet të përdoret, nyjën e përparme, “e”, mes emrit “shkëlqesia” e përemrit pronor, “juaj”. Pra, duhet të shkruhet “shkëlqesia juaj”, jo “shkëlqesia e juaj”.

Në po të njëjtin rresht, Berishaj ia shkruan gabimisht edhe mbiemrin presidentes. Në vend se ta shkruajë “Osmani-Sadriu”, e shkruan “Osmani-Sadiru”. Sidoqoftë, ky mund të jetë vetën gabim teknik, edhe pse jo më pak serioz, duke e pasur parasysh rëndësinë e kërkesës dhe të personit që do ta lexonte atë më vonë.

Në paragrafin për të dhënat personale dhe shkollimin, Berishaj bën pesë gabime drejtshkrimore. Fillimisht, e përdor gabimisht trajtën e shkurtër për numrin njëjës, “e”, në vend se ta përdorte trajtën e shkurtër për numrin shumës, “i”, në pjesën e fjalisë: “(...)shkollën fillore dhe të mesme e kam përfunduar në Tuz(...)”.

Më pas, ai e shkruan me shkronja të vogla emrin e fakultetit të Universitetit të Lubjanës - “fakulteti i shkencave politike”. Pak më poshtë, ai nuk e përdor parafjalën “në” në togfjalëshin “doktoratën Universitetin e Lubjanës”.

Berishaj e shkruan gabimisht edhe emrin “vizitor”, të përdorur në funksion të mbiemrit, në togfjalëshin “profesor vizitorë”.

Më poshtë, e shkruan me shkronjë të vogël mbiemrin “filozofik”, te togfjalëshi “Fakulteti filozofik”. Para këtyre fjalëve, e shkruan gabimisht edhe parafjalën “në”. E shkruan me “e”, “ne”.

Berishaj e shkruan gabimisht edhe mbiemrin “universitar”, te togfjalëshi “Kolegji Universitarë”.

Përsëri, e shkruan me shkronja të vogla emërtimin e një fakulteti tjetër – “fakulteti për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare”.

Më pas, nuk e përdor mbaresën rasore te akronimi “UP”, kur shkruan “(...)në Fakultetin Filozofik të UP”. Duhet të shkruhet “në Fakultetin Filozofik të UP-së”.

Berishaj e shkruan gabimisht edhe mbiemrin “cilësor”, duke e shkruar “cilësorë”.

E shkruan me shkronjë të vogël emërtimin e një fakulteti.

E shkruan gabimisht parafjalën “më” te togfjalëshi “deri me sot”. E shkruan “me”.

Berishaj e ka shkruar gabimisht edhe emrin “anëtar”, duke e shkruar “antarë”.

Gjithashtu, ai e ka shkruar me shkronjë të vogël emrin “kryesi”, kur fjala është përdorur në kontekstin e emërtimit të përveçëm – “(...) kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje!”.

Edhe një herë, si në fillim të kërkesës, Berishaj e përdor gabimisht dhe pa nevojë nyjën e përparme, “e”, mes emrit “ana” dhe përemrit pronor, “juaj”. Duhet të shkruhet “nga ana juaj”, jo “nga ana e juaj”.

Si duket, Berishaj i ka pikë të dobët përemrat pronorë. E ka shkruar gabimisht edhe përemrin pronor, “tuaj”, te grupi i fjalëve “doket dhe zakonet e vendit të juaj”. Duhet të shkruhet “(...) doket dhe zakonet e vendit tuaj”.

Gabime drejtshkrimore ka edhe në dekretin e nënshkruar nga presidentja Osmani-Sadriu.

Në këtë dokument, të siguruar nga portali “Demokracia”, është shkruar gabimisht forma e pashtjelluar përcjellore e foljes “marr”. Në vend se të shkruhet “duke marrë”, është shkruar “duke marr”.

Më poshtë, është shkruar gabimisht folja “ndërmarr” në mënyrën lidhore të vetës së tretë njëjës. Në vend se të shkruhet “(...) të ndërmarrë”, është shkruar “(...) të ndërmarr”./

Përmirësoi: Nasuf Abdyli/"Nacionale"

Lajme të ngjashme