Ambasadori amerikan konfirmon shkrimin e Nacionales, Kurti u prit në ndërtesën Eisenhower
Takimet e Kurtit nëpër SHBA po komentohen edhe pesë ditë pas kthimit të tij në Kosovë. Sot, pjesë e këtij diskutimi u bë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili konfirmoi atë që kishte raportuar gazeta Nacionale.
Pos takimeve të Kurtit me gjigantë të teknologjisë në Luginën e Silikonit, kryeministri zhvilloi takim edhe në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë, por jo në Zyrën Ovale.
Për ta pritur Kurtin në takime zyrtare të nivelit të lartë, u kujdes këshilltari i Biden-it për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.
Ajo që ra në sy ishte se Kurti me Sullivan publikuan një fotografi te shkallët brenda ndërtesës së quajtur Zyra e Eisenhowerit, e cila është pjesë e kompleksit të Shtëpisë së Bardhë.
Kështu raportoi edhe gazeta Nacionale ku thoshte në këtë tekst “Sullivan e priti Kurtin jo në zyrën e tij, e cila gjindet në Shtëpinë e Bardhë, por në një zyrë tjetër që është në kompleksin presidencial”.
Megjithatë, Kurti nuk shkeli në objektin e Shtëpisë së Bardhë, ku presidenti zhvillon takime të nivelit të lartë në Zyrën Ovale.
Lidhur me këtë çështje reagoi edhe ambasadori Hovenier, ku tha se takimi i Kurtit me Sullivan, u zhvillua në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë, njëjtë si raportonte Nacionale.
Ky reagimi i Hovenierit i ka gëzuar taborin e aktivistëve të VV-së, duke thënë se edhe Kurti është pritur ish-liderët e Kosovës që zhvilluan takime zyrtare në Uashington.
Por, nëse i shikojmë fotografitë e liderëve si Thaçi, Sejdiu e Hoti, del se të njëjtit u pritën në Zyrën Ovale, e jo në shkallët e Zyrës së Eisenhowerit.
Hovenier gjithashtu publikoi një fotografi ku edhe Thaçi ishte pritur në Zyrën e Eisenhowerit, megjithatë fotografia ishte bërë në zyrë me Biden, zëvendës-president në atë kohë, e jo tek shkallët, siç u publikua nga Kurti.
Me këto reagime VV-ja del në kundërshtim me deklaratat e mëhershme kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.
Në rastet kur filan ambasadori amerikan i dilte në krah Thaçit, VV-ja thoshte se për t’ia arsyetuar veprimet, po duhet të reagojë ambasadori amerikan.



