Ambasada gjermane: Thelbësore që Serbia të mos ndërhyjë në zgjedhjet e Kosovës
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se është thelbësore që Serbia të mos ndërhyjë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit në Kosovë.
Reagimi erdhi pas thirrjeve të Beogradit ndaj serbëve të Kosovës për të votuar për Listën Serbe, si dhe pas raportimeve se disa zyrtarë serbë u shkarkuan nga institucionet e udhëhequra nga Lista Serbe.
"Është thelbësore të mos ndërhyhet në procesin e formimit të vullnetit qytetar," tha zëdhënësi i Ambasadës, Payam Ghalehdar, për RTV21.
Ai theksoi se zgjedhjet janë mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës të shprehin vullnetin e tyre "në mënyrë të informuar dhe të vetëdijshme."