Albulena ministre, vëllai i deputetit të VV-së në IML: Ku është përgjegjësia politike për zhdukjen mostrave të Astrit Deharit?
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë ditës së sotme përmes një konference të jashtëzakonshme për media njoftoi publikun se ishin zhdukur disa mostra të aktivistit Astrit Dehari – vdekja e të cilit vazhdon të hetohet. Çka tha ministrja se ka ndodhur?
“Ky është një akt i rëndë e një akt kriminal.” – u shpreh znj. Haxhiu në këtë konferencë, por pa thënë se ndjente përgjegjësi për atë që kishte ndodhur. Kujtojmë se Instituti i Mjekësisë Ligjore është funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, që udhëhiqet nga vetë Haxhiu.
Haxhiu tha se sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Implikimet politike të znj. Haxhiu janë të rënda.
Ajo më tej shtoi se në vendin ku ruhen epruvetat kishin qasje vetëm tre persona, dhe emrat e të cilëve i dinte. Por, po ashtu u shpreh se nuk kishte hyrë askush me forcë – gjë që i bën dyshimet mi këta tre persona edhe më të forta.
“Nuk jam eksperte që të tregoj se a e dëmton rastin apo jo, vetëm jam e thirrur të tregoj një gjendje faktike,” – vazhdoi ajo, përkundër fjalëve që tronditën opinionin publik.
Kush udhëhiqte Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) deri tash?
Ushtrues detyre ishte Naim Uka, specialisti i mjekësisë ligjore dhe vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Ukës. Flutura Goga Bajrami kishte qenë në krye para se të merrte pushim të lehonisë.
Deri tash, Uka nuk i ka kthyer përgjigje gazetës Nacionale në pyetjet e saj.
Ndërkohë Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, ka bërë të ditur se e ka njoftuar Prokurorinë Speciale dhe Policinë për këtë rast.
“E kam njoftuar Kryeprokurorinë e Prokurorisë Speciale, unë jam pushim vjetor. Është duke u marrë Policia dhe Prokuroria me këtë rast. I kemi ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore menjëherë”, ka thënë Kelmendi për gazetën Nacionale.
Qysh po komentohet?
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, nuk kërkoi përgjegjësi nga ministrja Haxhiu për këtë rast.
Në një status në Facebook, ai thjesht ripërsëriti fjalët e thëna nga ministrja.
Por, anëtari i kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, i ka kërkuar dorëheqjen asaj duke u shprehur me këto fjalë:
“Instituti për Mjekësi Ligjore është në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, që do të thotë se në një qeveri normale me politikanë të përgjegjshëm Haxhiu do duhej të jepte dorëheqje për këtë ngjarje të rëndë e të dyshimtë.”
Kjo kërkesë për dorëheqje të minsitres u përsërit edhe nga ana e deputetes tjetër, Ganimete Musliut.
Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari, përsëri e ka politizuar rastin ndërkohë duke thënë se zhdukja e epruvetave ka vërtetuar se prapa (sic) “vrasjes së Astrit Deharit qëndrojnë grupe të organizuara kriminale... me shefa politikë.”
Ndërkohë, reagimi i aktivistëve tjerë të Vetëvendosjes ka qenë mjaft i zbehtë deri tash.


