Albulena Haxhiu e godet ulët Blerim Isufajn: S’na duhet një kryeprokuror që e ka bishtin e zënë me derë
Çështja e emërimit të kryeprokurorit tashmë është bërë çështje politike. Ka muaj të tërë që emri i Blerim Isufajt, i propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për kryeprokuror, po qëndron i varur pezull në Presidencën e Kosovës, pasi preisdentja Vjosa Osmani nuk po e dekreton atë. Pas sulmeve nga ana e kryeministrit Albin Kurti, sot me Isufajn është marrë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Shefja e Ministrisë së Drejtësisë ishte e ftuar në emisionin “Konfront” të KTV-së, ku ka bërë disa deklarata aspak politikisht korrekte, gjersa në një moment e ka goditur ulët Isufajn, që aktualisht është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.
“Zonja e Hekurt e Drejtësisë”, siç e kishte quajtur Rron Gjinovci Haxhiun, deklaroi se Kosovës nuk i duhet një kryeprokuror që e ka bishin e zënë me derë, por për një kryeprokuror të guximshëm.
“Kosova nuk ka nevojë për një kryeprokuror që e ka bishtin e zënë me derë sepse po e merr në qafë një popull. Z.Isufaj është kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, kjo prokurori ka kompetencat më të mëdha sa i përket krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe ku jemi ne në këto raste? Nuk ka vullnet për t’i luftuar peshqit e mëdhenj.” – deklaroi ajo, transmeton Koha.
Zonja Haxhiu, ndonëse e përgëzoi për ndjekjen penale në mungesë për kriminelët e luftës, e kritikoi prokurorinë se sipas saj nuk i ndoqi krimet ndaj ndërmarrjeve publike. Haxhiu pati kritika edhe ndaj opozitës, duke e akuzuar atë se po i pengon këto reforma, posaçerisht vettingun dhe byronë e konfiskimit të pasurisë.
Sulmet e Kurtit...
Kujtojmë që javë më parë, Kurti kishte lëshuar një mori akuzash ndaj Isufajt, duke deklaruar se ai nuk do të bëhet kryeprokuror i shtetit.
“Unë nuk kam dyshim që prokurorinë e shtetit dhe atë sa më larg aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vete ndaj meje, si kryeminsiter, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dal nga 14 shkurti 2021. Kjo lidhet me shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurit Bleirm Isufajt.” – deklaroi Kurti kohë më parë.
Madje, ai ishte marrë personalisht edhe me të kaluarën e Isufajt.
“Bëhet fjalë për një Prokuror, i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike, që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të Informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht, bëhet fjalë për një Prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në Gjykatë. Dhe pikërisht ky Prokuror dëshiron të bëhet Kryeprokuror përkundër vullnetit të Presidentes së Republikës, të Kryeparlamentarit të Kosovës dhe të Kryeministrit të Qeverisë. Është siklet i madh dhe është mbështetje e madhe për një njeri, i cili përkundër tre krerëve shtetërorë, përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të, dëshiron të bëhet Kryeprokuror...Por, nuk do të mundet (të bëhet kryeprokuror). Sepse këtu ka republikë dhe popull.” – theksonte Kurti.
Ndryshe, Kurti ishte parë i ashpër me prokurorinë e gjyqësorin edhe në rastin e Dejan Pantiqit, policit të arrestuar për sulmet në veri. Në momentin e lirimit në arrest shtëpiak të serbit Pantiq, shefi i ekzekutivit kishe pyetur se “kush është ai prokuror” që e ka bërë këtë kërkesë dhe “kush është ai gjyqtar” që e ka aprovuar atë.
“Nuk e di këtë çështjen gjyqësore, procedurale të atij që është i pandehur që po mbahej në Jarinje për shkak se nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Në qëndrim të paraburgimit e ka statusin e të paraburgosurit por njëkohërisht është i pandehur për terrorizëm. Ajo çfarë unë kam dëgjuar meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte problem me zemër, do të mund të dërgohej në spital që është e kuptueshme, a është e arsyeshme e vendos gjyqësori. Mirëpo kur ke një akuzë për terrorizëm, të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtarë se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon.” - tha Kurti.


