Albini 31-vjeçar na paralajmëroi: “Varfëria po na krimb” - NACIONALE

Albini 31-vjeçar na paralajmëroi: “Varfëria po na krimb”

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Kosova e 2006-s kishte përqindje të larta varfërie e papunësie. Kjo bënte që një i ri 31-vjeçar nga Prishtina me emrin Albin Kurti, të alarmonte botën sesa keq ishte puna këndejpari. Duke e përqasur sa për krahasim një tekst të Kurtit më 2006 me gjendjen e tashpërtashme, del se jo shumë gjëra kanë ndryshuar. Fakti që vetëm më 2023 16 për qind e ekonomive familjare jetuan në varfëri ekstreme flet shumë.

4 qershor 2025 – Si udhëheqës i një lëvizje që nuk garonte në sistemin politik, Albin Kurti, nuk përtonte të fliste në emër të të varfërve e të mjerëve në Kosovë.

Ishte viti 2006, dy vjet para se Kosova të shpallej shtet i mosvarur, dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje edhe në anglisht shkruante se sa e pashpresë ishte gjendja në Kosovë.

Asokohe, profesoresha nga New Yorku Anna Di Lellio botoi librin “The Case for Kosova: Passage to Independence”.

Brenda tij u përfshin dhjetra artikuj nga historianë, studiues disiplinash të ndryshme, analistë e njohës të tjerë të realiteteve në Kosovë.

Libri ishte menduar nga autorja Di Lellio si një mënyrë për të afirmuar çështjen e pavarësisë duke i përgënjeshtruar pretendimet serbe.

Mes kontribuesve ishte edhe Albin Kurti, asokohe 31-vjeç, që, edhe pse nuk kishte ndonjë kredencial akademik, identifikohej si një ish-student që përfundoi në burgjet e Serbisë.

Sidoqoftë, pena e Kurtit e nxori Kosovën e asohershme si tejet të zymtë e të pashpresë.

“Moszhvillimi e karakterizon Kosovën në çdo fushë. Varfëria, papunësia dhe pakënaqësia janë në rritje,” shkruante ai.

Në vazhdim, ai rendiste gjithfarë statistikash e matjesh për fukarallëkun e Kosovës ku, sipas tij, “15 për qind e popullatës është në varfëri të skajshme, një tjetër 40 për qindësh janë të varfër, kurse papunësia është mbi 60 për qind.”

Kurti merrte edhe statistika nga regjistrimet e mëparshme për ta shembullzuar poentën e tij se vendi po bëhej gjithnjë e më i varfër.

“45.914 njerëz u regjistruan si të lindur në vitin 1987. Vitin e kaluar, ata e mbërrin moshën 18 vjeçare; u rritën dhe u bënë të papunë. GDP për kokë banori është 964 euro që është 22 herë më pak sesa ajo e Gjermanisë!”, shkruante kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai nuk ndalej vetëm me kaq. Kurti shkëpuste edhe të dhëna të tjera për të treguar se gjithçka ishte krijuar për të prodhuar vetëm azilkërkues.

“Deficiti tregtar është i madh: mbulimi i eksport/importit është vetëm 4.38 për qind. Në vitin 2004 importet ishin në vlerë prej 1.030 milion euro, kurse eksportet numëronin vetëm 45.1 milionë euro”, shkruante më tej Kurti.

“Në të kaluarën ne eksportonim njerëz–azilkërkues. Tani ata po i kthejnë mbrapsht.” /Nacionale/


Lajme të ngjashme