Alarmon Grenell: Kurti ndërmori veprime unilaterale, do të ketë pasoja - NACIONALE

Alarmon Grenell: Kurti ndërmori veprime unilaterale, do të ketë pasoja

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ish- emisari i Presidentit Trump për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, në një intervistë të gjatë për T7, ka komentuar takimin e nivelit të lartë të 14 shtatorit në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit në Bruksel. Në këtë intervistë Grenell ka folur për raportet e tensionuara të Kosovës me aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai thotë se liderët perëndimorë ishin unifikuar për t'i dënuar veprimet e njëanshme në veri të shefit të qeverisë së shtetit kosovar, Albin Kurtit.

Grenell, fillimisht për T7, tha se të dy palët ishin fajtore për dështimin e takimit të fundit në kuadër të dialogut në Bruksel.

Më pas, ai tha se komuniteti ndërkombëtar bashkarisht i kanë dënuar veprimet e Kurtit në veri të vendit, gjatë tensioneve të muajit maj dhe qershor.

Të dyja palët janë fajtore, nuk ka dyshim për këtë. Por tani komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar që Albin Kurti ka ndërmarrë veprime unilaterale në veri. Mendoj se gjermanët, francezët, evropianët në përgjithësi, kemi parë KFOR, forcat e NATO-s, administratën e Joe Biden, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit, të gjithë e kanë dënuar Albin Kurtin për veprimet e tij në veri. Ai nuk po merr vendime të mira për të krijuar një atmosferë të paqes. Unë isha në pjesën veriore, duke shtyrë serbët të mbështesnin idenë që oficerët e policisë e Kosovës që ishin arrestuar dhe mbajtur duhet të liroheshin. Nuk mendoj se ishte një veprim i mirë për të krijuar një atmosferë të paqes. Prandaj i pamë të lirohen dhe mendoj se është një gjë e mire”, tha Grenell.

Por komuniteti ndërkombëtar ishte i qartë se nuk duhet të kemi njësitë speciale, mund të kemi policë që patrullojnë zonën veriore, por nuk mund të dërgoni njësite speciale që qarkullojnë rreth ndërtesave komunale në Kosovë. Kjo është çfarë tha komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë forcat e NATO-s. Ata i kërkuan z. Kurti që menjëherë të zhvillojë zgjedhje të vërteta atje, jo zgjedhje të rreme që janë bërë. Kjo nuk është bërë”, tha ai tutje.

Ish-emisari amerikan ka përmendur pasoja për, sipas tij, veprimet e pakordinuara dhe të njëanshme të Kurtit.

Ne e dimë që për vite të tëra janë bërë marrëveshje të shumta për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo nuk është bërë, kështu që Albin Kurti ka ndryshuar reputacionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. E di që ka shumë njerëz në Kosovë që e duan Albin Kurtin dhe më pëlqen mesazhi i tij kundër korrupsionit dhe pastrimit të qeverisë së Kosovës, ka shumë korrupsion në Ballkan, dhe më pëlqen ky aspekt. Më pëlqen që flet për përfshirjen e të rinjve. Dhe sigurisht që kemi parë shumë të rinj të përfshirë. Por të mos kemi dyshim, Albin Kurti ka ndërmarrë veprime unilaterale që kanë sjellë dënimin nga komuniteti ndërkombëtar si kurrë më pare”, shtoi Grenell.

Ish-ambasadori amerikan, ka theksuar se dënimi i veprimeve të Kurtit nga Departamenti i Shtetit i Joe Biden dhe Demokratët nuk do të kalojë pa pasoja për Kosovën.

Kosova ka qenë gjithmonë një mik unik për SHBA-të, por të kesh dënim nga Departamenti i Shtetit i Joe Biden dhe Demokratët, të kesh dënim nga Shtëpia e Bardhë e Joe Biden dhe Demokratët ndaj një udhëheqësi të Kosovës është e paprecedentë dhe e tërë unike, dhe populli i Kosovës duhet ta kuptojë se deklarata e 3 qershorit që komuniteti ndërkombëtar bëri, duke kërkuar nga Albin Kurti të ndalojë veprimet unilaterale dhe të ndërmarrë hapa specifikë… ai nuk e ka bërë këtë, dhe do të ketë pasoja. Dëgjoj këtë në mënyrë të vazhdueshme nga Departamenti i Shtetit dhe njerëzit që punojnë aty, janë shumë të frustruar me Albin Kurtin”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme