Akuzoi Thaçin, por Vjosa Osmani me fjalë të tij po ashtu bënte presion për votimin e Gjykatës Speciale - NACIONALE

Akuzoi Thaçin, por Vjosa Osmani me fjalë të tij po ashtu bënte presion për votimin e Gjykatës Speciale

3 javë më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka sulmuar në mënyrën më ‘speciale’ të mundshme ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin që ndodhet i paraburgosur në Gjykatën Speciale. Kësaj here, sulmi është bërë për një çështje – ndër të rrallat – që bashkonte presidentët. A ka mashtrim në këtë mes?

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka bërë asnjë postim në profilin e tij në Facebook që nga data 5 nëntor 2020. Arsyeja për një gjë të tillë është fare e thjeshtë: ai nuk mund të marrë pjesë në debatin politik e publik në vend, sepse ndodhet në paraburgim.

Por, kjo nuk pengoi presidenten e tanishme, Vjosa Osmanin që në konferencën e përbashkët për medie me presidentin shqiptar Ilir Meta të bënte një goditje që duket të jetë e gabuar në shumë drejtime.

Natyrisht, Thaçi nuk mund të replikojë me presidenten Osmani, por kundër saj me të njëjtin fjalor si të Thaçit mund të replikojë deputetja e LDK-së në vitin 2015, që për ‘ironi’ mbante të njëjtin emër e mbiemër si presidentja, pra Vjosa Osmani, dhe kishte të njëjtin bashkëshort, pra Prindon Sadriun.

Çka tha tash?

Presidentja e vendit është kritikuar për një mori çështjesh, madje edhe nga shumë eksponentë të pushtetit, ambasadorë dhe diplomatë të huaj.

Mes tjerash, ajo është kritikuar për mungesë vizioni por edhe për retorikë nacionaliste që ka shpërfillur krejtësisht komunitetin serb të Kosovës.

konferencën e përbashkët me presidentin Ilir Meta, znj. Osmani nuk mund të ishte më e drejtpërdrejtë:

“Ne nuk harrojmë sado që dikush mund ta ketë një dëshirë të tillë se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh, nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”

Fjalia e mësipërme i dedikohet pikërisht Hashim Thaçit, që ishte akuzuar për presion ndaj deputetëve e për insistim – me të drejtë – edhe nga Vetëvendosje por edhe nga disa eksponentë të partisë së tij (PDK).

E meqë PDK-ja e vitit 2015 – vit kur u votua Gjykata Speciale – ishte e ndarë, LDK-ja që ishte në koalicion qeverisës ishte e bashkuar sa i përket kësaj çështjeje. Të gjithë ishin pro!

2015

Në vitin 2015, Vjosa Osmani ishte një ndër zëdhënëset më të shquara të votimit për Gjykatën Speciale duke shtyrë përpara, përveç agjendës së partisë së saj që drejtohej nga Isa Mustafa, edhe agjendën e ish presidentit Thaçi.

Madje, ajo përdorte po të njëjtat argumente si ish presidenti i Kosovës.

Në një paraqitje në emisionin Interaktiv, znj. Osmani po ashtu bënte presion publik duke përdorur mundësinë e themelimit të Gjykatës Speciale përmes Këshillit të Sigurimit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Por, ajo presionin e shtonte kur përdorte miqtë më të mëdhenj të Kosovës, ShBA-të, dhe diplomatët e tjerë të vendeve tjera mike.

“Në këtë rast kemi paralajmërime shumë serioze dhe deklarime edhe prej disa zyrtarëve shumë të lartë të Departamentit të Shtetit... të cilët kanë thënë qartë se nëse Rusia apo kushdo tjetër inicion një rezolutë për themelimin e një Gjykate Speciale, ShBA-të nuk do të përdorin vetonë. Dhe ne po dëgjojmë argumente tashmë, se nuk qenka e mundur një gjë e tillë për shkak se Kosova nuk është anëtare e OKB-së.” – dëgjohet duke thënë nga minuta 23:50.

Ndërkohë,ja çka thoshte Hashim Thaçi që në atë kohë mbante pozitën e Zv. Kryeministrit:

"E ritheksoj edhe sot, se është jetike për të ardhmen e vendit që të themelojmë ne gjykatën e veçantë, Gjykatën Speciale, në bazë të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe në asnjë rrethanë kjo çështje të mos kalojë, pra ta themelojmë bashkërisht me partnerët tanë Bashkimin Evropian dhe SHBA-të dhe në asnjë rrethanë të mos krijohet hapësirë për oponentët e pavarësisë së Kosovës që kjo çështje të kalojë në Këshillin e Sigurimit."

Përveç kësaj, presidentja Osmani tregonte edhe për një opsion tjetër shtesë se si mund të ndodhte themelimi nëse nuk do të votohej nga deputetët e Kuvendit: ShBA-ja.

Gjatë kësaj interviste, Osmani dëgjohet duke e pranuar se Gjykata Speciale nuk do t’i japë llogari asnjë institucioni të vendit nëse shkel të drejtat e njeriut, por megjithatë duke u shprehur se ajo do të punojë “në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Besim Beqaj paska deklaru se Isa Mustafa mund të Beqaj arrestohet. Si duket e ka ngatërru me kryetarin e tij, sepse për të dhe rrethin e tij është kriju Gjykata Speciale.” - ishte shprehur ajo.

Nuk dihet se për çfarë arsyesh znj. Osmani ka vendosur t’i dalë kundër qëndrimeve të saj të mëparshme, por rënia e popullaritetit mund të jetë një prej tyre.

Lajme të ngjashme