"Akuza të pabaza drejt Qeverisë"; "Propagandues patologjik": Ngrohtorja e Kryeqytetit përplasë Muratin me LDK-në
Gjatë ditës, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vizituar ngrohtoren e qytetit “Termokos”, ku ka bërë të ditur se me iniciativën e asambleistëve të LDK-së në Prishtinë, kjo ndërmarrje ka marrë ndihmë kapitale prej 5 milionë eurove. I pari i LDK-së tha se nga ky investim edhe disa lagje do të bëhen me nxemje qendrore. Ndaj postimit të Abdixhikut reagoi Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tha se “financimi për zgjerim të rrjetit ekziston”, por fajësoi opozitën për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Muratit duket se s’i pëlqeu një punë e kryer e LDK-së, teksa i bëri thirrje Abdixhikut që të kërkojë vetë votat e partnerit të tyre në Prishtinë që të kalojnë marrëveshjen ndërkombëtare që i referohet Termokos-it.
“Në vend se të bëjë akuza të pabaza drejt Qeverisë, deputeti Abdixhiku bën mirë të kërkojë nga partnerët e tij të koalicionit që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes që ia siguron 80 milionë euro Termokosit dhe qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Murati në një reagim në Facebook.
Kjo shkaktoi një reagim të ashpër nga zyrtarët e LDK-së. Deputetja e kësaj partie, Doarsa Kica-Xhelili, shefin e Financave e ka quajtur “propagandues patologjik”, ndërsa ka kujtuar se LDK-ja ka votuar pro marrëveshjeve ndërkombëtare.
“PROPAGANDUES PATOLOGJIK Ministri Hekuran Murati po kërkon që LDK, e cila ka votuar PËR marrëveshje ndërkombëtare, t’i bind partitë TJERA opozitare të votojnë. Ministri i takon një partie politike që në nivel lokal ka koalicione PIKËRISHT me ata që nuk ja votojnë marrëveshjet, por disi, ‘harron’ kur nuk i konvenon. Nuk e di saktë ku fillon e kulmon domosdoshmëria e njeriut të propagandojë tërë kohën, por KY duhet të jetë kulmi. Kjo nuk është politikë. Të jetosh obsesivisht në trillim ka tjetër dimension patologjik.” – ka shkruar Kica-Xhelili në Facebook.
Ndaj Muratit reagoi edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, i cili renditi 5 projekte të Komunës së Prishtinës që, sipas tij, po bllokohen nga pushteti.
“Ministër, Marrëveshjet ndërkombëtare po votohen prej LDK-së, dhe këtë e keni parë në disa mbledhje të fundit! Kurse, ju, në anën tjetër, po bllokoni projektet e Prishtinës! 1. Rasti i Rrugës A; 2. Unaza e jashtme e Kryeqytetit; 3. Spitali i Prishtinës; 4. Rruga Prishtinë - Fushë Kosovë (me WB); 5. Bartja e mjeteve financiare. Dhe, në rastin e TERMOKOS, edhe pa mbështetje fare, vetëm këtë vit i kemi kyç' 40 mijë banorë në Prishtinë. I kemi mbi 300 projekte në realizim në Prishtinë. Ia dalim edhe pa ju!” – tha ai.
Reagim pati edhe nga anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili gjithashtu ka kritikuar qeverinë Kurti se po pengon, siç tha ai, “zhvillimin e kryeqytetit”.