Aktivisti Milliçeviq: Paraqitjet publike të Qeverisë Kurti "skandaloze", Serbia e pasinqertë ndaj serbëve të Kosovës
Drejtori ekzekutiv i NGO Aktiv, Miodrag Milliçeviq ka folur në një podcast për portalin Kossev në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Çka ka thënë ai?
“Kurti na ndodhi neve, Vuçiqi na ndodhi neve, krejt ata që provuan ta zgjidhin nyjen gordiane të Kosovës dhe situatën që po na shqetëson qe më shumë se 20 vjet na ndodhën neve,” – tha Milliçeviq duke folur për krizën në veri të cilës ende nuk po i shihet fundi.
Aktivisti serb nga Kosova ka kritikuar Beogradin zyrtar për qasjen e pasinqertë ndaj serbëve të Kosovës.
“Ka vazhdimisht vetëm një storie në publik – që procesi i integrimit do të shkojë përpara siç ishte planifikuar, por në realitet ne po shohim krejt tjetër gjë, dhe ajo gjë në 10 vitet e fundit është ikja e popullatës, pakënaqësia e madhe,” – u shpreh ai.
Sipas tij, qeveria në Beograd nuk kishte përgjigje për trendin e ikjes së të rinjëve serbë nga Kosova.
Sa i përket kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, Milliçeviqi tha që për komunitetin ndërkombëtar – para se të vinte në pushtet – ai ishte dikur që “premtonte” shkaku i të kaluarës së ndryshme krahasuar me opozitarët e sotëm.
Sidoqoftë, thotë ai të gjithë duket se harruan protestat e dhunshme të Vetëvendosjes ndaj Eulexit, Policisë së Kosovës, qeverisë së Kosovës dhe mediave.
“Ka një situatë krejtësisht surreale në të cilën jemi vënë, pavarësisht se a duam a jo, sepse Qeveria në Prishtinë nuk ka qëllime të sinqerta sa i përket serbëve,” – u shpreh ai.
Ai shtoi se qeveria e Kurtit nuk i kupton problemet me të cilat përballen serbe, duke mohuar madje se ata ekzistojnë.
Më tej, z. Milliçeviq u shpreh se paraqitjet publike të Qeverisë së Kosovës janë “skandaloze” për të thënë të paktën.
Ai pretendoi se qytetarët e rëndomtë në Prishtinë besonin që njësitë speciale në veri po bënin punë “fenomenale”.
“Kjo është një mungesë totale e një fotografie reale nga terreni,” – u shpreh aktivisti.
Milliçeviq ka parashikuar se nëse ngjarjet vazhdojnë me të njëjtin trend atëherë “paevitueshëm” do të ketë një lloj konflikti.

