Aktivisti i VV-së në krye të RTK-së: Çka ndodhi me televizionin e VV-së që u hap para tre vitesh?
Tashmë është zyrtar, në krye të televizionit në transmetuesin publik, do të jetë Rilind Gërvalla, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Nga opozita, analistët, njohësit e çështjes, kjo po konsiderohet si një kapje e RTK-së. VV-ja, edhe më herët ka qenë e interesuar për fushën e medias, e madje kishte hapur edhe një medium. TVV-ja, çka ndodhi me televizionin e partisë në pushtet?
Me tetë vota për të marra nga bordi i RTK-së, Rilind Gërvalla tashmë do të jetë në krye të televizionit në këtë institucion publik.
Aktivisti i LVV-së, përkundër thirrjeve që të mos votohen persona me prapavijë politike, ia ka dalë që ta fitojë këtë pozitë.
Nga shumëkush, një zhvillim i tillë po konsiderohet si kapje e transmetuesit publik.
Por partia në pushtet, dikur drejtonte edhe një television tjetër, që tashmë duket mos të jetë edhe aq aktiv.
Çka ndodhi me TVV-në?
Ishte gushti i vitit 2020 kur partia aktuale në pushtet e kishte hapur televizionin e saj që quhej TVV. Pra, një bashkim mes televizionit dhe Vetëvendosjes.
“E respektojmë punën që bëjnë mediat dhe gazetarët në Kosovë, por e kemi parë të rëndësishme që ta bëjmë edhe një televizion, ku shpalosim qëndrimet tona, nëse jemi të ftuar në ndonjë medium, ndonjëherë nuk mund t’i përçojmë të gjitha mesazhet e Lëvizjes Vetëvendosje,” – kishte thënë Albulena Haxhiu në atë vakt.

Ky projekt duket se rezultoi tmerrësisht i pasuksesshëm, pasi që nuk ka postuar asnjë video prej datës 2 nëntor të vitit 2020 në kanalin e saj në YouTube.
Por, një problemeve evidente të televizionit të Vetëvendosjes që madje edhe ndërtoi logo për veten, del të ketë qenë shikueshmëria.
Intervista e TVV-së me kryetarin e VV-së i mori gjithsej 45 mijë shikime.
Por, shikimet do të binin video-pas-videoje, për të rezultuar në katastrofën e një deklarimi nga Albulena Haxhiu që i mori vetëm 379 shikime.
Nuk dihet nëse TVV-ja ekziston ende, por dështimi i saj duket se kaloi në heshtje dhe prodhueshmëria e saj ka rënë krejtësisht.
Televizioni i partisë në pushtet i mori vetëm 2 mijë abonentë, ani pse në zgjedhjet e fundit të parakohshme të 14 shkurtit 2021 do t’i merrte 400 mijë vota.
Projekte tjera mediale?
Kjo parti politike ka një prej faqeve më të mira në Internet, Vetëvendosje.org, nga e cila fatkeqësisht kanë hequr shumë e shumë komunikata për shkak se shprehnin qëndrime të papranueshme për rrethanat aktuale.
Por, ata janë të shtrirë gjerësisht edhe në rrjetet sociale të Internetit.
Sidoqoftë, anëtarë të ndryshëm të kësaj partie kanë portale të caktuara.
Së fundi, bujë të madhe bëri Sadri Ramabaja. Portali i tij i quajtur “Instituti shqiptar për Gjeopolitikë – i mori 5-6 mijë euro nga Kryeministria. Se çfarë pune po bën ky portal, mund ta shihni duke klikuar në këtë VEGËZ.

