Akti III: Shkelja e fjalëve të Bislimit për dialogun mbi dinarin në tre akte 'qesharake" - NACIONALE

Akti III: Shkelja e fjalëve të Bislimit për dialogun mbi dinarin në tre akte 'qesharake"

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi e gjen veten sot në një takim të përbashkët për çështjen e dinarit me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq dhe me ndërmjetësuesin Mirosllav Llajçak. Takimi është vazhdim i atij që ndodhi javën e kaluar, por dallimi është se në këtë takim ai do të jetë edhe para fjalëve të tij që shprehnin qëndrimin se për dinarin nuk mund të diskutohej në nivel politik.

Zv. Kryeministri dhe kryenegociatori Bislimi kishte deklaruar për çështjen e dinarit se nuk ishte temë që do të mund të dialogohej në Bruksel pas frikës së opozitës se do të ndodhte një gjë e tillë.

“...ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshje bazike, kështu që do shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për çështne e dinarit, por që nuk është nga ekipi i kryenegocicatorit,”ishte shprehur Bislimi.

Akti I

Ky qëndrim ishte shkelur ngapak e ngapak. Fillimisht, me shkuarjen e Guvernatorin të BQK-së Ahmet Ismaili në Bruksel për të diskutuar mbi çështjen e rregullores së institucionit që drejton. Opozita e kishte kritikuar Ismailin se kishte shkuar pa pasur ftesë dhe pa qenë kompetent që të fliste për këtë çështje.

Megjithatë, Qeveria vazhdonte të mbrohej me faktin se diskutimet ishin në nivel teknik dhe jo politik.

Akti II

Megjithatë, duke qenë se thelbi i çështjes së rregullores së BQK-së interpretohej si politik duhej që të diskutohej në nivel politik. Besnik Bislimi shkeli fjalët dhe u nis javën e kaluar drejt Brukselit.

Përpjekja për minimizim të diskutimit do të merrte tipare qesharake. Qeveria me anë të një komunikate zyrtare do të provonte minimizimin e asaj shkuarjeje.

“Më tej, u përmend edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe shqetësimet e fundit rreth saj.” – është fjalia që doli nga Qeveria e Kosovës.

“U përmend” ishte thelbi që e ekspozonte përpjekjen e Qeverisë për ta ‘fshehur’ politikën nga diskutimi që po ndodhte.

Akti III

Takimi i sotëm heq çfarëdo përpjekje të Qeverisë për të mbrojtur qëndrimin se për çështjen e dinarit.

Takimi në fjalë është trepalësh dhe tema është dinari, siç tashmë ka raportuar Radio Evropa e Lirë. Në këtë takim pritet të ofrohen propozimet konkrete të palëve për çështjen në fjalë.

Lajme të ngjashme