Aktgjykimi për dekretin, interpretime të ndryshme nga Presidenca dhe VV – opozita respekton vendimin - NACIONALE

Aktgjykimi për dekretin, interpretime të ndryshme nga Presidenca dhe VV – opozita respekton vendimin

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstaton se dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit “nuk prodhon asnjë efekt juridik” – mbi argumentin se Kuvendi nuk e kishte konsumuar ende afatin kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit, sepse Legjislatura e dhjetë u konstituua më 11 shkurt 2026 dhe afati u ndërpre më 9 mars me caktimin e masës së përkohshme – ka nxitur reagime të menjëhershme nga Presidenca, Lëvizja Vetëvendosje, dhe partitë e tjera opozitare.

Sipas aktvendimit të Kushtetueses, deputetëve u mbeten edhe 34 ditë nga hyrja në fuqi e aktgjykimit për ta zgjedhur presidentin. Nëse Kuvendi dështon brenda këtij afati, ai shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Presidenca tha se vendimi i Kushtetueses i ka vërtetuar qëndrimet juridike të paraqitura në këtë rast. Në reagim thuhet se “Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastet nr. KO 72/26 dhe KO 74/26, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese.”

Sipas Presidencës, Gjykata ka konfirmuar se “afati 30-ditor para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual është përfundimtar dhe detyrues, si dhe nuk mund të relativizohet.” Po ashtu, Presidenca theksoi se “nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces të zgjedhjeve”, duke u bërë thirrje deputetëve që “urgjentisht ta kryejnë këtë detyrim kushtetues.”

Nga Lëvizja Vetëvendosje, shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, e interpretoi aktgjykimin si konfirmim se dekreti presidencial ishte antikushtetues. “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi se dekreti i shpallur nga Presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është në kundërshtim me Kushtetutën”, tha ajo.

Nga PDK-ja thanë se e respektojnë vendimin dhe konsultimet e brendshme për hapat e ardhshëm. “Ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese si institucion kyç i rendit demokratik, ashtu siç kemi vepruar gjithmonë”, ka deklaruar Çitaku, teksa bëri të ditur se PDK-ja do t’i mbledhë nesër organet e saj drejtuese për të diskutuar për zhvillimet e reja dhe hapat e ardhshëm.

Partia Demokratike e Kosovës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka thirrur menjëherë për nesër në orën 14:00, mbledhje të përbashkët të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se vendimi i Gjykatës “ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin” dhe se partia e tij e konsideron atë “udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.”

Abdixhiku shtoi se “vendimi nuk krijon epërsi për askënd” dhe “rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit.”

Lajme të ngjashme