"Akt antikombëtar", Berisha akuzon Ramën se anuloi takimin mes Kosovës dhe Shqipërisë me urdhër të Vuçiqit
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Salih Berisha, ka reaguar në Facebook duke akuzuar kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama, për "ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Kosovës dhe për të mbrojtur interesat personale në bashkëpunim me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiç".
Berisha ka reaguar rreth anullimit të takimit të planifikuar midis qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, duke e cilësuar vendimin si fillimin e sanksioneve ndaj qeverisë së Kosovës. Ai ka akuzuar Edi Ramën për lidhje me presidentin serb Vuçiq.
Në reagimin e tij, Berisha dënon me ashpërsi "aktin e ndërhyrjes së Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës". Kreu i PD-së ka akuzuar Ramën se që nga ardhja e tij në pushtet "është bërë protagonist kryesor i projekteve të Serbisë së Madhe dhe ndarjes së Kosovës në bashkëpunim me Vuçiçin."
Kontekst:
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ka mbajtur një konferencë të gjatë, ku ka folur për Kosovën dhe marrëdhënien absolutisht të trazuar të Qeverisë Kurti me bashkësinë euro-atlantike. Konferenca e Ramës duket të jetë paralajmërimi i fundit për Qeverinë Kurti për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Çka tha Rama në konferencën jashtëzakonisht tmerruese për fatin e Kosovës?
Që në krye të fjalimit, Rama informoi se s’është e mundur të mbahet mbledhja e dy qeverive.
“Ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar dhe pasi kam folur pasdite me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i kam kërkuar Albinit për t’u takuar nesër, në Gjakovë, në një format më të ngushtë, përkatësisht me ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes për të diskutuar pikërisht për këtë situate, e cila po e çan në mënyrë dramatike Kosovën me bashkësinë euro-atlantike në një pikë të paimagjunueshme, ku kjo e fundit e ka vendosur gishtin faktikisht në butonin që do të vë në lëvizje planin e sanksioneve ndaj shtetit që e ka krijuar vetë” – deklaroi Rama.