Ajoua dekoroi Kurtin për “shpëtimin e shumë familjeve shqiptare në Kosovë”: A e ngatërruan me dikë tjetër?
Kryeministri Albin Kurti u dekorua me Kryqin Maltez nga shteti i Ajouas (Iowa), por arsyet e dhëna për dekoratën nga këta të fundit tregojnë se nuk e njohin fare kryeministrin tonë.
Dimë se Albin Kurti e njeh veten si veteran të UÇK-së, por se i tillë njihet edhe nga OVL-UÇK. Sidoqoftë, vizita e tij në SHBA na zbuloi se kryeministri ynë gjatë luftës paska shpëtuar shumë familje shqiptare në Kosovë.
Ndoshta Kurti është ‘treguar modest’ duke mos na folur për heroizmin e tij, ama shteti i Iowas e ka dekoruar Kurtin për meritën e shpëtimit të familjeve shqiptare në Kosovë.
E si ka mundur Kurti t’i shpëtojë këto familje gjatë kohës së luftës sa ishte në burg [ose ushtar i UÇK-së në Prishtinë], më së miri mund të na tregojë vetë kryeministri, apo familjet e shpëtuara... apo ndoshta vetë shteti i Iowas.
Në certifikatën e mirënjohjes, Senati i Iowa-s thotë “Kur filloi lufta në Kosovë, Kurti u angazhua për integritetin territorial me NATO-n, për t’u rezistuar sulmeve të Serbisë, si dhe ndihmoi shpëtimin e shumë familjeve shqiptare brenda Kosovës”.

Pak paradoksale është edhe fakti se si Kurti merr merita edhe për intervenimin e NATO-s në Kosovë, kur kihet parasysh se Kurti ka qenë kundër Marrëveshjes së Rambujesë.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacioni shqiptar, solli intervenimin e NATO-s në Kosovë. E ky intervenim solli çlirimin e Kosovës, e më pas themelimin e shtetit – kryeministër i të cilit është Kurti.
Heroizmi i Kurtit gjatë luftës [jo ky me shpëtimin e familjeve], shihet me skepticizëm nga skena politike. Opozita për shembull beson se Kurti s’është veteran i UÇK-së.
PSD-ja tashmë ka dorëzuar kallëzim penal kundër Kurtit, ku thotë se Kurti mashtroi komisionin vlerësues të veteranëve.
“Kurti nuk ka plan që t’i pastrojë listat e veteranëve të rrejshëm, se i tillë është vetë...”, deklaronte Molliqaj.
Certifikatës së Iowas dhënë Kurtit iu gëzuan shumë zyrtarë të VV-së duke e shpërndarë në profilet e tyre në rrjete sociale, në mesin e tyre edhe shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Kurti në Iowa vizitoi Gardën Kombëtare atje, për ta forcuar partneritetin me Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Pos Iowa-s, Kurti shkoi edhe në Silicon Valley, ku vizitoi kompanitë gjigante amerikane si Microsoft, Uber, Linkedin e Airbnb.
Kryeministri ftoi këto kompani të investojnë në Kosovë, ndërkohë që u kritikua ashpër për ftesën e Uberit në Kosovë, e cila u pa si shfrytëzim i tregut kosovar dhe jo investim që krijon vende pune.
Pra, Kurti u kritikua për vizitat që i bëri dhe ato që s’i bëri. Deri tash, kryeministri s’është takuar me askënd të nivelit të lartë diplomatik.
Megjithatë, në media është raportuar se mund të takohet me zëvendës-presidenten Kamala Harrris.
Gjithashtu në media dje u raportua se takimi mund të ndodhë gjatë ditës, ama për Kamalën e cila u nis drejt Arabisë, më i rëndësishëm ishte varrimi i mbretit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Vizita e Kurtit në SHBA mbetet vizita më e gjatë e ndonjë kryeministrit të Kosovës atje, e ajo po zgjat ende, shpresojmë që të paktën deri në fund të vizitës dikush nga niveli i lartë të takohet me Kurtin, për të mirën e Kosovës. /Nacionale.com/