AGK-ja reagon ashpër ndaj gjuhës së rëndë të Ilir Sadriut kundër Berat Buzhalës lidhur me vrasjen në Ferizaj
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën e Ilir Sadriut, djalit të Sadri Sadriut, i cili mbeti i vrarë javë më parë në Ferizaj.
Për këtë rast, Nacionale kishte raportuar se dyshimet janë për pedofili.
Ilir Sadriu ka mohuar akuzat, megjithatë ka bërë akuza të rënda ndaj Berat Buzhalës, duke thënë se i njëjti “është i përfshirë në vrasjen e babait të tij”.
Kjo gjuhë, është dënuar ashpër nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka kërkuar siguri shtesë për Buzhalën dhe ekipin e Nacionales.
“Kjo akuzë është e rëndë dhe tepër e rrezikshme, dhe AGK-ja, e dënon fuqishëm për pasojat që mund të ketë. Pas kësaj akuze publike, siguria e Buzhalës dhe e gazetarëve të tjerë në Nacionale komprometohet seriozisht. AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës që të marrë masa shtesë për ofrimin e sigurisë për Buzhalën dhe ekipin e tij”, ka shkruar AGK-ja.
Ilir Sadriu me një postim të gjatë, me akuza të rënda e skandaloze, ka përfshirë Berat Buzhalën në vrasjen e Ferizajt. Kjo vetëm për shkak të një raportimi që tregonte se dyshimet janë që vrasja është kryer për shkak të pedofilisë nga tashmë i ndjeri.
Postimi i Ilir Sadriut:
Deklaratë Publike
Në emrin tim personal dhe të familjes Sadriu, dëshiroj të sqaroj dhe komentoj lidhur me shkrimet e publikuara që nga data 17 gusht 2024 në disa portale në Kosovë, veçanërisht në portalin “Nacionale,” në pronësi të z. Berat Buzhala. Duke ndjerë një obligim moral dhe njerëzor për të informuar qytetarët e Republikës së Kosovës, Luginës së Preshevës dhe më gjerë, unë, Ilir Sadriu, djali i të ndjerit Sadri Sadriu, i ekzekutuar më 16 gusht 2024, deklaroj si më poshtë:
Akti i ulët dhe barbar i ekzekutimit të babait tim, Sadri Sadriu, një ish-mësues i përkushtuar me 42 vite përvojë në edukimin dhe arsimimin e shumë brezave në Luginën e Preshevës dhe më gjerë, ndodhi pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë shenjë paraprake që një akt i tillë mund të ndodhte.
Pavarësisht shkrimeve të disa portaleve në Prishtinë, veçanërisht atyre të portalit “Nacionale” dhe pronarit të tij, z. Berat Buzhala, që pretendojnë të shpjegojnë arsyet e ekzekutimit të babait tim, e vërteta është shumë më e thjeshtë: dorasi dhe organizatorët kishin për synim përfitimin financiar dhe përpjekjen për të denigruar reputacionin e familjes Sadriu.
Kjo përpjekje e dorasit, asistentit të tij dhe porositësve të këtij akti barbar, ndoshta edhe e sponsorizuar nga entitete të caktuara private dhe publike, filloi përmes një denoncimi të bërë nga T.M., vajza e dajës, më 8 dhjetor 2021, pranë autoriteteve të Serbisë në Preshevë.
Pas hetimeve nga autoritetet relevante në Serbi, Prokuroria e lartë publike në Vrajë ka hedhur poshtë këto pretendime si të pabazuara.
Fatkeqësisht, vendimi i Prokurorisë së Serbisë nuk arriti të ndalë presionet për përfitime financiare, të cilat duket se ishin pjesë e një plani të menduar mirë për të denigruar familjen tonë. Fakti që rasti nuk u denoncua para gjykatave të Republikës së Kosovës, por para atyre të Serbisë, dhe duke marrë parasysh lidhjet e ngushta të Berat Buzhalës me aktorë të tjerë kriminalë në Serbi, vetëm sa e forcon dyshimin për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në vrasjen e babait tonë.
Presionet dhe kërcënimet që ky grup ushtronte ndaj familjes sonë ishin të paqarta dhe të papritura, gjë që më krijoi përshtypjen se grupi po vepronte me udhëzime nga entitete të tjera, private ose publike. Dyshimi im bazohet në faktin se këto presione nuk përmbanin asnjë element emocional, që normalisht do të ishin të pranishme nëse pretendimet e tyre do të ishin të vërteta. Në vend të kësaj, ato kishin një natyrë pothuajse kontraktuale dhe teknike.
Jam i bindur se nëse do të kishim pranuar kërkesën financiare të grupit për "mbylljen e çështjes," kjo do të përbënte një pranim të heshtur të fajësisë dhe do të hapte rrugën për denigrimin e mëtejshëm të familjes Sadriu.
Refuzimi ynë për të lejuar çfarëdo përfitimi financiar, fatkeqësisht, nxiti një seri veprimesh të tjera nga pretendimet e sajuara, të cilat, përmes vëllezërve të tyre, dorasit F.R. dhe asistentit të tij J.M., rezultuan në ekzekutimin e babait tim.
Në ditët dhe javët në vijim, presim që hetuesit e Policisë së Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj të hetojnë posaçërisht komunikimet që mund të kenë ndodhur midis grupit të vrasësve , dhe z. Berat Buzhala, duke marrë parasysh pretendimet publike të tij se ka qenë në kontakt me grupin dhe ka pasur njohuri për pretendimet e tyre.
Jam i bindur në kapacitetet dhe profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe Inspektorati policor të Kosovës për të gjurmuar provat kibernetike, të cilat, besoj se do të konfirmojnë frikën time se z. Buzhala është përfshirë në komunikimet me anëtarët e grupit ose mund të jetë i implikuar në dhënien e direktivave dhe sponsorizimin e grupit.
Ky shqetësim bazohet në retorikën e tij publike, e cila u intensifikua menjëherë pas ekzekutimit të babait tim, si dhe në deklaratat e tij publike për njohuritë që ka pasur për pretendimet e tyre dhe kërcënimet ndaj vëllait tim.
Jemi thellësisht të tronditur nga përpjekjet e vazhdueshme të z. Buzhala për të shtrembëruar të vërtetën, duke e paraqitur këtë krim të tmerrshëm si një akt hakmarrjeje të motivuar nga pretendime të pavërteta, të sajuara dhe të shpifura. Po ashtu, jemi jashtëzakonisht të shqetësuar se shkrimet dhe komentet publike të z. Buzhala synojnë të pengojnë hetimet e policisë, Inspektoratit të policisë së Kosovës si dhe prokurorisë, ndoshta për të fshehur diçka shumë më të errët dhe më të rrezikshme sesa mundësia e përfshirjes së tij në këtë krim.
Të bindur në profesionalizmin dhe integritetin e Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor te Kosovës si dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe gjyqësorit, presim që pa humbur kohë të përfundojnë hetimet e plota, të pavarura dhe transparente, të cilat pa dyshim do të zbardhin të vërtetën dhe do të sjellin para drejtësisë jo vetëm dorasin dhe asistentin e tij, por edhe porositësit, ndihmësit dhe sponsorizuesit e këtij akti kriminal.
Familja është në fazat përfundimtare të përgatitjes së padisë kundër pronarit të Nacionale-s, Berat Buzhala, për shkak të veprimeve të tij të papërgjegjshme dhe shpifjeve. Kjo padi do të dorëzohet së shpejti në gjykatat e Kosovës.
Në fund, në emër të familjes sonë, kërkojmë që të respektohet privatësia jonë gjatë kësaj kohe të vështirë dhe të ndalohen spekulimet apo çfarëdo veprimi që mund të minojë punën e autoriteteve përkatëse.
Me respekt,
Ilir Sadriu
Në emër të familjes Sadriu
All reactions:
115Nexhati Shabani and 114 others