“Agjenda të fshehta”; “Pjesë e propagandës së Kurtit”: Pse kryeministri po e fsheh draftin e Asociacionit? - NACIONALE

“Agjenda të fshehta”; “Pjesë e propagandës së Kurtit”: Pse kryeministri po e fsheh draftin e Asociacionit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës e ka pranuar draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por ende nuk e ka publikuar atë.

Fshehja e përmbajtjes së këtij dokumenti ka habitur opinionin publik në Kosovë. Mostransparenca në këtë aspekt ka shqetësuar opozitën, njohësit e rrethanave politike në vend dhe qytetarët.

Pyetje e vetme që bëhet për këto dy javë është se pse kryeministri Albin Kurti nuk po e publikon këtë dokument?

Njohësit e rrethanën politike janë munduar ta shpjegojnë këtë veprim të tillë. Fshehja e draftit të Asociacionit, kanë thënë ata, është pjesë e strategjisë së propagandës së Kurtit.

Sipas tyre, në këtë mënyrë kryeministri po manipulon me militantët e VV-së.

Analisti Petrit Zogaj ka treguar se kjo është pjesë e propagandës se VV-së dhe kryeministrit Kurti.

Propaganda është mjeshtëri e hollë, e LV e ka të avancuar shumë këtë mjeshtëri. Qe pse: Në vend që të bëhet diskutimi se si erdhi puna që Kurti e LV po e pranojnë një marrëveshje që e kanë kundërshtuar edhe me gjak, debati bëhet nëse drafti duhej të bëhet publik apo jo. Ose pse ende nuk është një version zyrtar i tij i publikuar. Në këtë debat, LV e bën fakt te kryer që ka pranuar një marrëveshje të tillë dhe së është çështje kohe kur ajo do të publikohej. Kështu, militanti tashmë e ka të qartë që Kurti dhe LV janë pajtuar për asociacionin/zajednicen apo çfarëdo emri që mund t’i vihet. Pra, Albini gradualisht po e ndërgjegjëson militantin për këtë qëndrim radikal të tij në lidhje me dialogun”, ka shkruar Zogaj në profilin e tij në “Facebook”, duke e treguar arsyen e dytë pse Kurti nuk e bën publik draftin.

Hapi i dytë i propagandës së LV është që ‘Kurti po e ndjeke Vuçiqin me e nënshkru asociacionin, ama ai s’po donë.’ Me këtë, makineria propagandistike e LV-së, po i thotë militantit, që Asociacioni që tashmë jeni në dijeni që e kemi pranuar, është në favor të Kosovës sepse Serbia, pra Vuçiqi s’po e pranon të njëjtin. Edhe në këtë rast, i shkreti militant lehtësohet moralisht nga fakti që po duhet me e gelltitë Asociacionin, sepse sipas Liderit, ky na qenka i duhuri për Kosovën”, ka vlerësuar Zogaj.

Sipas Zogajt, kjo propagandë e ka edhe një hap të tretë.

Hapi i tretë në këtë mes është se si Kurti do të arsyetohet në implementimin e Asociacionit edhe pa nënshkrimin e tij nga pala tjetër. Sigurisht që ekipa e Kurtit që merret me strategjinë e mesazheve politike janë në diskutimet finale se si do të dalin dhe të na thonë se implementimi i Asociacionit do të jetë me faza dhe nëse nuk shohin hapa konkret nga Serbia, këta nuk do t’a finalizojnë implementimin e Asociacionit. Në këto tre mesazhe që Kurti/LV po i artikulon në publik në lidhje me Asociacionin, partitë opozitare janë pjesë e lojës dhe së Kurti po i shfrytëzon ato në mënyrë të jashtëzakonshme”, ka shkruar ai.

Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë një shpjegim për këtë.

Sipas tij, Kurti ka një agjendë të fshehtë.

Unë dyshoj në agjenda të fshehta të tij. Ai po ia fsheh edhe Vetëvendosjes çka ka pranu, jo mua. Unë po i pyes sot deputetët e VV-së, kush prej tyre e ka lexu krejt dokumentin, të cilin kryeministri i Kosovës e ka pranu në emër të Kosovës. Pos që e ka pranu, po kërkon edhe nënshkrimin e çetnikut”, ka deklaruar Haradinaj në emisionin Ribikon të Klan Kosovës.

Unë kam pranu marrëveshjet për Kosovën, pra unë nuk i ka bërë hile Kurti, nuk i kam ra mbrapa shpine. Kurti diçka po fsheh, se ai nuk ka guxu as me mua me e nda dokumentin. Po e zëmë se u frikësua prej PDK-së e LDK-së, se këta po e ngucin, por nuk e ka nda me mua dokumentin. U shku e ka pranu, i ka kërku Vuçiqit me e qit firmën dhe i ka mbet hatri bile, thojke pse s`po e qet firmën me mua. Unë nuk mujsha me besu çka po thotë kryeministri i Kosovës, ai tu u mundu me e sha opozitën e shajke veten, sepse e lybke firmën e Vuçiqit në një dokument që është i Kosovës. Këto diçka flasin, pse veprohet kështu”, ka thënë Haradinaj.

Draft-statuti i ri i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është sjell në Prishtinë nga pesëshja diplomatike euro-amerikane më 21 tetor.

Deri me tani këtë dokument e kanë parë vetëm liderët institucionalë. Krejt çka dihet për këtë draft është ajo që ka thënë kryeministri Albin Kurti. Sipas tij, drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Për mospublikimin e draftin, Kurti ka thënë se është kërkesë e ndërmjetësve të procesit.

Lajme të ngjashme