Agjencia franceze shkruan për “tensionet mes Kosovës e ShBA-së”: Kurti u thotë “nuk shantazhohemi”
Kryeministri Albin Kurti po zotohet për t’i rezistuar çdo përpjekje “shantazhi” përballë afatit për marrëveshje me Serbinë nga Perëndimi. Kështu po raportojnë mediat franceze, duke cituar një intervistë të shefit të Qeverisë së Kosovës, e cila duket se është dhënë për AFP-në.
France 24 ndërkohë, ka cituar këto raportime duke thënë se Kurti ka deklaruar që Kosova po përballet me një afat përfundimtar përgjatë marsit, për të arritur një marrëveshje me Serbinë.
“Kosova është një shtet i pavarur dhe është më mirë edhe për Serbinë që ta njoh Kosovën.” – ka deklaruar ai.
Çka thotë Kurti për takimin ku s’u ftua?
Kryeministri Kurti nuk u pa në konferencë për media, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, kështu që edhe ajo mundësi për ta pyetur rreth një qëndrimi të tij për takimin e djeshëm, nuk u ofrua.
Por, duket se ai ka vendosur të flasë për mediat franceze, ku agjencisë AFP i ka thënë disa fjalë edhe rreth Asociacionit.
Fillimisht, në raportimet e shpërndara më pas edhe nëpër media të tjera franceze, përmenden edhe kërkesat e vazhdueshme të ShBA-së për ta formuar Asociacionin.
Derisa shkruhet për takimin e djeshëm, përmendet se Kurti nuk mori pjesë në këtë takim, “duke lënë të kuptohet për rritjen e tensioneve me aleatin e palëkundur të Kosovës”.
“Ne nuk mund të shantazhohemi. Nuk mund të frikësohemi. Ne jemi njerëz me kurajo dhe çfarë ne kërkojmë është trajtim i drejtë, barazi dhe njohje reciproke.” – ka thënë ai.
Madje, Kurti shkruan se ka thënë që "nuk është e drejtë që të ketë presion ndaj shtetit më pro-evropian e më pro-amerikan në Ballkanin Perëndimor".
31 janari
Dje, më 31 janar, në objektin e Ambasadës Amerikane është mbajtur një takim ku janë diskutuar modalitetet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Përfaqësues të presidentes Osmani, kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca, ishin të pranishëm në takim.
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier – që kishte detyrë edhe të moderonte diskutimin në fjalë – dha detaje rreth takimit përmes një postimi në Twitter.
“Sot ne mbajtëm një sesion dëgjimor në Ambasdën e ShBA-ve në Prishtinë mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mirënjohës për palët e interesit që ishin të pranishme e që ndanë pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve në Dialog,” – u shpreh ai.
Në një shkrim që erdhi pak orë pas mbajtjes së takimit në Ambasadën e Amerikës për Asociacionin, Nicholas Abbott, ambasadori britanik, ka qenë i qartë në kërkesën për themelimin e Asociacionit.
“Ne inkurajojmë qeverinë të bëjë progres në të dyjat. Një trup i tillë nuk është vetëm një zotim ndërkombëtar, por po ashtu siguron një mundësi për serbët kosovarë të jenë një pjesë integrale e Kosovës.” – shkroi ndër të tjera Abbott.
Ndërkaq, në lidhje me takimin ka reaguar edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili konsideroi se ka potencial për bisedime të mëtutjeshme.
“Ka potencial për bisedime të mëtejshme.” – ka thënë ai për REL-in.


